MENU
klinika

La Liga, java 5

Mjafton Asensio, Real Madrid merr kreun

22.09.2018 - 22:49

Ka mjaftuar një gol i Asensios në pjesën e parë dhe Real Madrid ka fituar në shtëpi 1-0 ndaj Espanyol, duke marrë edhe kreun e renditjes, duke pritur ndeshjen e Barcelonës dhe duke shpresuar te ndonjë dështim i katalanasve.

Nuk ka qenë një ndeshje e lehtë për skuadrën e Julen Lopetegui, me mbrojtjen vendase që është vënë disa herë në vështirësi nga miqtë, veçanërisht në pjesën e parë. Por lojtarët e Espanyol nuk kanë arritur të shfrytëzojnë siç duhet rastet e krijuara.

Një gabim që nuk e ka bërë Asensio, i cili nuk ka falur në minutën 41-të të pjesës së parë, duke mposhtur portierin Lopez me një diagonale të bukur me të majtën. Gol ky që është anuluar fillimisht nga arbitri i ndeshjes, por që është konfirmuar më pas nga VAR.

Rastet nuk kanë munguar as në pjesën e dytë, me Espanyol që ka goditur traversën në të 65-ën me Iglesias. Vendasit kanë arritur ta mbrojnë avantazhin deri në fund dhe tani kanë shkuar në kuotën e 13 pikëve në renditje, gjashtë më shumë se Espanyol që mban vendin e 6-të.