Kur fillimisht dëgjoni fjalët “në det të hapur” në një diskutim mbi qëndrueshmërinë, mund të mendoni për “fermat e erës” në det të hapur. Dhe përderisa janë absolutisht të rëndësishme për prodhimin e energjisë, ato nuk janë mënyra e vetme për të shfrytëzuar oqeanet tona për të bërë zgjedhje eko-miqësore. Çfarë tjetër mund të bëjmë?
E pra, ferma e parë e qumështit në det të hapur do të hapet në fund të vitit 2018. Kjo fermë e qumështit do të pozicionohet në Portin e Roterdamit dhe po prezantohet nga kompania Beladon, një kompani holandeze pronash.
Kjo fermë në ujë është e para e këtij lloji në një port të qytetit. Ndërsa fillimisht kjo mund të duket si një shaka ose projekt prej letre, qëllimi është që t’i lehtësojë qytetit prodhimin e ushqimit të vet.
Për të filluar, ferma lundruese do të ketë rreth 40 lopë në bord. Këto lopë do të milen nga robotët. Pjesa më mbresëlënëse? Këto lopë pritet të prodhojnë rreth 800 litra qumësht. Në ditë.
Robotët gjithashtu do të mbledhin pleh organik për fermën lundruese. Ky pleh do të përdoret ose si fertilizues, ose si gjenerues i energjisë në vend. Teprica do të shkojë në fermat lokale.
Qumështi dhe kosi i bërë në fermë do të shiten në zonën lokale.
Logjistikisht, ferma do të vendoset në mes të portit. Ajo gjithashtu do të jetë e ankoruar në fund të oqeanit. E gjithë ndërtesa do të ketë tri nivele.
“Duke parë shkatërrimin e shkaktuar nga Uragani Sandy, nga nevoja më lindi ideja që ushqimi të prodhohet sa më afër konsumatorëve“, thotë Peter van Wingerden, një inxhinier në Beladon. Siç tregon BBC, ideja për një fermë lundruese erdhi tek ai kur Uragani Sandy goditi New York City në vitin 2012.
Ai ishte aty rastësisht, duke punuar në një projekt banimi lundrues të projektuar për Hudson.
Për shkak të përmbytjeve dhe kushteve të vështira të motit, ishte e vështirë, nëse jo e pamundur, që furnizimet ushqimore të funksiononin sipas nevojës së qytetit. “Kështu që erdhi ideja për të prodhuar ushqime të freskëta në një mënyrë adaptive ndaj klimës, në ujë,” vazhdon ai.
Lopët do të kenë qasje në kullota. Klaas van der Molen, projektuesi, shprehet për The Guardian: “Me 40 lopë nga 800 kg secila, ndërtesa duhet të jetë më i qëndrueshme dhe më simetrike, të gjithë mund të qëndrojnë në njërën anë.Specialisti i lopëve mendon se do të kalojnë shumicën e kohës në fermën lundruese [jo në fushë], pasi është një zonë komode ku ato kanë ushqimin e tyre, dhe ka një dysheme të zbutur “.
Ferma gjithashtu do të krijojë një pjesë të energjisë së saj nëpërmjet paneleve diellore.
Përgatiti: M.G