Një ndeshje pa shumë emocione është zhvilluar në Laç mes ekipit vendas dhe Partizanit, që ka përfunduar me rezultatin e bardhë 0-0, e vlefshme për javën e katërt të Kategorisë Superiore.
Ndonëse minuta e para nuk sollën ndonjë rast të rrezikshëm, Xhixha mendoi për të “ndezur” sfidën me një goditje të befasishme, por ishte Hoxha që i mohoi golin.
“Demat” u zgjuan më pas dhe nisën që të reagonin, por tentativat e Hebajt dhe Atandës ishin shumë pak për të gjetur golin. Pak sekonda para se të mbyllej pjesa e parë Xhixha përsëriti veten me një goditje të bukur, por sërish “gardiani” i Partizanit e ndali.
Në fraksionin e dytë skuadrat u treguan më të rezervuara, me miqtë që kishin më shumë iniciativë, megjithatë duhet përmendur një tentativë e Jonuzit, i cili sapo ishte aktivizuar vuri në provë Alban Hoxhën, i cili sërish ishte në lartësinë e duhur.
Si Gega, ashtu dhe Mërgjyshi menduan që të hidhnin në fushë nga një debutues. Sukaj për Laçin dhe Çinari për Partizanin patën minuta e para në kampionat me skuadrat e tyre.
Në këtë mënyrë, Partizani arrin Kukësin, Flamurtarin dhe Skënderbeun me 7 pikë, ndërsa Laçi qëndron 1 pikë pas tyre në kuotën e 6 pikëve. Laçi do të ndeshet javën e ardhshme me skuadrën e Kastriotit në transfertë, ndërsa Partizani do të presë në shtëpi Flamurtarin.