MENU
klinika

La Liga, java 6

Përmbyset Barcelona, s’është më e pathyeshme

26.09.2018 - 21:55

Pas ndalesës të dielën e kaluar në shtëpi ndaj Girona-s, Barcelona ka marrë edhe një tjetër goditje dhe kësaj here nuk ka alibi me kartonë të kuq. Leganes ka përmbysur për dy minuta Barcelonën, duke fituar në fund 2-1. Fitorja e parë në kampionat për vendasit, ndërsa për kampionët humbja e parë.

Ndeshja e 700-të e Messi-t do të mbahet mend si triumfi historik i Legane-s. Barcelona gjen golin e avantazhit shumë herët. Philippe Coutinho zhbllokon rezultatin me një gol magjik nga distanca. Mesfushori brazilian stopon topin dhe godet me të parën, duke mposhtur portierin kundërshtar.

U duk sikur do të shihnim një tjetër goleadë të miqve, por niveli i lojës ishte i dobët. Loja kryesisht përqendrohej në mesin e fushës, me Barça që bënte shumë pasime në prapavijë në pamundësi për të gjetur hapësira përpara. Bie në sy mungesa e Suarez, me Messi që luan në një rol më qendror.

Pas pushimit ndodh çudia. Leganes përmbys rezultatin brenda 68 sekondave, duke befasuar botën e futbollit. Ishte El Zhar ai që barazon rezultatin, dhe pas një minute ishte gabimi trashanik i Gerard Pique që i dha mundësinë vendasve të kalonin në avantazh.

Barcelona mundohet të reagojë, por mundësitë për gol mungojnë. Lojtarët e Leganes luajnë me zemër dhe vetëm në 10 minutat e fundit miqtë arrijnë të rrezikojnë seriozisht portën e tyre. Në fillim ishte Coutinho, pastaj Rakitic, por goditjet e tyre priten mrekullisht nga portieri Cuellar.