Një ditë pas mbledhjes së Asamblesë dhe ndryshimeve në radhet e saj, duke nisur nga sekretariati, PS ka mbledhur sot Kryesinë. Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së PS, Sekretarja për Bashkëqeverisjen dhe Aleancat, Elisa Spiropali ka informuar mediat lidhur me atë që u vendos në mbledhje.
“Ndryshe nga opozita që betejën parlamentare ka vendosur ta bëjë në hotele me 5 yje, ne betejën tonë në PS në grup dhe qeveri kemi vendosur ta fokusojmë te njerëzit. Sot kemi një PS dhe një grup parlamentar kompakt për vizionin qeverisës, në bashkëqeverisje me qytetarët, kështu e kemi fituar betejën në koalicion me qytetarët dhe kështu do ta vazhdojmë”- tha ajo.
Pyetur nëse pas paralajmërimit të Ramës për vendorët është vendosur diçka sot ën Kryesia, ajo ka theksuar: “Krerët e bashkive dhe ekipet e tyre do të jenë në territor, pastaj do bëhet analizë për qeverisjen lokale në gjithë territorin”- tha ajo.
Partia Socialiste ka bërë një formatim të plotë të sekretariatit të saj, duke sjellë emra të rinj dhe duke bërë një ndarje më të mirë të detyrave. Në mbledhjen pa praninë e mediave, kryetari i Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla, lexoi emrat e rinj të sekretarëve. Bie në sy përfshirja në sekretariat e zv.kryeministres Senida Mesi, si sekretare për Burimet Njerëzore, post që në 2016 e mori Musa Ulqini.
Po ashtu, deputeti Arben Pëllumbi është emëruar sekretar organizativ, post që dy vjet më parë e mbante Bashkim Fino, i cili dha më pas dorëheqjen kur kandidoi për kryetar të Federatës Shqiptare të Futbollit. Fino në unanimitet u zgjodh nënkryetar i Asamblesë Kombëtare, ndërsa u bënë dhe dy kooptime për në kryesinë e PS. Ulsi Manja dhe Ermonela Felaj u kooptuan me votim të hapur për në kryesi.
Blerina Gjylameti do të vijojë të jetë sekretare për Koordinimin Elektoral, ndërsa Elisa Spiropali, nga sekretare për Rininë, u bë Sekretare për Bashkëqeverisjen dhe Aleancat, ndërsa nënsekretar do të jetë zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, dikur ministër dhe sekretar organizativ në këtë parti.
Ilir Beqja, nga koordinator kombëtar për programin, do të jetë sekretari Digjital i PS, post që në 2016 e mori Alfred Peza. Peza, në strukturën e re të sekretariatit ekzekutiv të PS, do të jetë sekretar për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat.
Teuta Vodo do të vijojë të jetë sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, si dhe Bledi Çuçi, Sekretar për Çështjet Zgjedhore. Risia në këtë riorganizim të sekretariatit është vendosja e pozicionit të nënsekretarit. Janë disa zv.ministra që janë vendosur si nënsekretarë si: Shpati Kolgega, Julian Hodaj, Petro Koçi, Artemis Dralo dhe Romina Kuko.
Ndryshimet në sekretariat
Sekretare për Burimet Njerëzore – Senida Mesi
Romina Kuko – Nën/Sekretare
Sekretar për Organizimin – Arben Pëllumbi
Shpati Kolgega – Nën/Sekretar
Sekretare për Koordinimin Elektoral – Blerina Gjylameti
Elion Semanaj dhe Ermira Rusi – Nën/Sekretar
Sekretar Digjital – Ilir Beqja
Sekretar për Diasporën – Laert Duraj
Artemis Dralo – Nën/Sekretare
Sekretare për Bashkëqeverisjen dhe Aleancat – Elisa Spiropali
Petro Koci – Nën/Sekretar
Sekretare për Marredheniet Ndërkombëtare – Teuta Vodo
Sekretar për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat – Alfred Peza
Sekretar për Cështjet Zgjedhore – Bledi Cuci
Julian Hodaj – Nën/Sekretar
Eridian Salianji – Nën/Sekretar
Nënkryetar i Asamblesë Kombëtare:
1. Bashkim Fino
Kooptime në Kryesinë e Partisë:
1. Ulsi Manja
2. Ermonela Valikaj (Felaj)