MENU
klinika

Reforma në ASH

Rama: Shqipëria e fundit për mungesë dijesh, jo parash

20.09.2018 - 13:14

Akademia e Shkencave(ASH) realizoi ditën e sotme ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri, Edi Rama, i cili tha se ndonëse ka ende shumë punë për tu bërë, reformimi po sheh dritë në fund të tunelit.

“Sot jemi në një fazë që mund të shohim dritë në fund të tunelit përsa i përket reformimit të Akademisë së Shkencave. Më vjen mirë që sot që flasim jemi përballë një pune të kryer me zell e përgjegjësi nga grupi i ngritur për të propozuar këtë reformë nën drejtimin e Skënder Gjinushit.

Duhet të falenderojmë edhe profesor Artan Fugën për kontributin e tij, por të vazhdojmë përpara pa u ndalur asnjë sekondë e të vazhdojmë me grupin e punës. Por ne e kemi parë të arsyeshme të ndalim një sekondë dhe të ballafaqojmë alternativat.

Pasi mbase në platformën e Fugës ka gjëra për t’u marrë në konsideratë. E shoh me shumë rëndësi që në fund asnjë të mos paragjykojë rezultatin e të mos ketë një ndarje për shkak se njëra platformë pati mbështetjen e qeverisë e tjera erdhi në formë rebelimi ndaj saj. Nga kjo fiton vetëm procesi, akademia që duam për nesër

Ajo që na duhet është t’i konsolidojmë në kornizën që më pas do i shkojë Kuvendit të Shqipërisë për të kthyer në ligj draftin e Reformës që në rastin e akademisë së shkencave nuk mund të jetë i imponuar nga lart por është domosdoshmëri që të vijë si një ndërveprim mes akademisë së brëndshmi dhe pastaj parlamentit.

Çka është inkurajuese është se në grupin e punës është se ka elementë të kërkuar prej kohësh, që përbëjnë gur themeli për ecurinë e akademisë në të ardhmen”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.

Më tej, Rama shtoi se lidhur me aksesin e fondeve europiane për kërkim shkencor Shqipëria është e fundit në rajon, dhe kjo gjë sipas tij vjen si pasojë e mungesës së dijeve dhe jo prej mungesës së parave.

“Shqipëria është e fundit në rajon në aksesin, në fondet europiane për kërkimin shkencor. Serbia ka fituar 90% të projekteve që ka çuar për aplikim, Maqedonia 80% ndërkohë që Shqipëria vetëm 4.5%.

Dakort paraja është një bazë pa të cilën s’bëhet puna, por nga ana tjetër aksesi në fonde nuk garantohet me para, por me dije, dhe në këtë aspekt duhet bërë ndryshimi i madh për të krijuar mundësi që në rrugët e njohjes Shqipëria të ketë më shumë kapacitete thithëse që janë të pakrahasushme për nga sasia me vendet e tjera të rajonit.

Vendet më të pasura janë ato që thithin më shumë fonde, se dinë më shumë. Vendet e varfra dinë më pak. Diferenca është te ajo që di jo te ajo që ke”, përfundoi kreu i qeverisë shqiptare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN