Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, ka reaguar me një deklaratë të gjatë, botuar në faqen zyrtare të klubit kryeqytetas për zërat që “shkarkojnë” trajnerin Mirel Josa.
Ejupi ka mohuar kontaktet me trajnerin vlonjat, Gentian Mezani, madje këmbëngul se nuk e ka takuar asnjëherë në jetën e tij këtë emër, duke përgënjeshtruar ato që janë shkruar në adresë të tij.
“Nuk e njoh dhe as që jam takuar me personin në fjalë, që paskan aluduar portalet, Gentian Mezanin. Në fakt, tash pse unë njoh shumë njerëz të sportit dhe jam i rrethuar me ta nuk ka asnjë domethënie.
Takohem me shumëkënd, me të cilët kam miqësi, por edhe me të tjerë që mund të jenë afër tyre dhe kjo nuk do të thotë asgjë. Ne kemi kryetrajner, ai është Mirel Josa, me të cilin kemi kontratë trevjeçare.
Prishtina nuk është klub lagjesh që t’i ndërrojë trajnerët çdo tre-katër javë, apo për qejfin e dikujt. Me Josen kemi projekt. Josa nuk ka ardhur të dëshmohet në Prishtinë.
Ai është dëshmuar shumë më herët para nesh. Ai ka dëshmuar me sukseset në Shqipëri e sidomos me paraqitjet në Europë. Ai ka ardhur që krejt atë bagazh të përvojës së tij të sjellë tek ne.
Po ashtu i mirëkuptojmë brengat dhe njëkohësisht dëshirat e adhuruesve tanë e veçmas ‘Plisave’ për fitore, me të cilët jemi në një rrugë dhe e duam suksesin së bashku, por ju lusim të na mirëkuptoni dhe të na besoni, të keni pak durim, sepse gjithçka do të vijë në vendin e vet, sepse jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë.
Josa ka kontratë tre vjeçare me ne, sikurse ne që i besojmë, duam që edhe ju ta mbështesni atë dhe klubin maksimalisht. Vetëm të bashkuar do t’ia dalim.
Këto shkrime i shoh si sulme për të na shpërqendruar para ndeshjes së nesërme me Gjilanin. Por nuk do t’ia arrijnë asnjë prej këtyre portaleve nga Kosova apo Shqipëria.
Nuk do të bëjmë gabime të tilla, siç ndoshta kemi vepruar viteve të fundit. Ftojmë që te mos u besoni thashethemeve dashakëqija e të qëllimshme, sidomos të disa të ashtuquajturave portale nga Kosova,”- e mbyll reagimin e tij presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi.