MENU
klinika

Sulmuesi i Kombëtares

Rey Manaj e bën “rutinë”, tjetër gol në start

28.09.2018 - 22:12

Ashtu si një ndeshje më parë, Rey Manajt nuk i duhen shumë minuta për të shënuar. Sulmuesi i kombëtares shqiptare krejt papritur është kthyer në pikë referimi te klubi i tij i ri Albacete, sepse më në fund ka fituar formacionin dhe po e falënderon klubin për besimin, duke shënuar gola shumë “të rëndë”.

Javën e shkuar Albacete fitoi 3-1 në Mallorca dhe Manaj shënoi që në minutën e dytë të ndeshjes, ndaj e ka fituar me “dhunë” vendin në formacion dhe tashmë nuk e lëshon më.

Sot, Manaj u vonua 60 sekonda më shumë se javën e shkuar, sepse që në minutën e tretë të ndeshjes shtëpiake kundër Zaragoza-s ka shënuar golin e parë të takimit. Goli i tretë në kampionat, i katërti sezonal për sulmuesin shqiptar, i cili ka një mesatare të shkëlqyer goli, me një gol çdo 80 minuta mesatarisht.

Nëse vazhdon kështu, sulmuesi lushnjar do të ngjitet shpejt në nivelet që e presim prej vitesh, duke u bërë i rëndësishëm edhe në Kombëtare. Luan në Segunda, por është po aq e fortë sa Serie B dhe me siguri do ta shohim në La Liga.