MENU

Libri që nxjerr 'të palarat' e Trump...

Rrëzoi Nixon nga pushteti, Trump shënjestra e radhës e gazetarit

06.09.2018 - 11:51

Sipas një libri të ri nga gazetari i famshëm i Watergate Bob Woodward, Shtëpia e Bardhë nën Presidentin Donald Trump është zhytur në një “shkatërrim nervor”.

Libri i ri i gazetarit Bob Woodward titullohet “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë” dhe bazohet në qindra orë intervista me punonjës të dorës së parë në presidencën tashmë 20-muajshe të zotit Trump.

Bob Woodward, dekada më parë, kur ishte gazetar i ri i “Uashington Postit” u mor me hetimin e korrupsionit brenda në Shtëpinë e Bardhë dhe shkrimet e tij çuan në dorëheqjen e Presidentit Riçard Nixon.

Në librin e tij, ai citon zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm të Shtëpisë së Bardhë, që sipas tij flasin me përçmim për Presidentin Trump duke thënë se ai nuk e “çan kokën” se veprimet e tij si president mund të rrezikojnë sigurinë botërore.

Detajet nga libri u botuan nga The Washington Post të martën.

Në librin, shefi i shtabit të Trump, John Kelly citohet të ketë dyshuar në aftësitë mendore të Trump, duke deklaruar gjatë një takimi “Ne jemi në një qytet të çmendur”.

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis citohet të shpjegojë Trump pse SHBA ka vendosur trupa në gadishullin Korean për të monitoruar aktivitetet e raketave të Veriut. “Ne po e bëjmë këtë për të parandaluar Luftën III Botërore” tha me sa duket Mattis.

Ai gjithashtu citon komentin famëkeq të ish-Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson se Trump ishte një “idiot”. Tillerson u shkarkua nga detyra jo shumë kohë më pas.

Woodward shkruan se ndihmësit shpesh i hiqnin dokumentet nga tavolina e Presidentit Trump në Zyrën Ovale, për të mos lejuar që ai të nënshkruante ndonjë gjë që ndihmësit mendonin se do të rrezikonte sigurinë e botës ose interesat e SHBA.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders hodhi poshtë detajet e bëra publike përpara daljes të librit, kur u pyet në konferencën për shtyp të martën.

“Ky libër nuk është asgjë më shumë se shpikje, shumë prej ish-punonjësve të pakënaqur janë bashkuar për ta bërë presidentin të duket keq”, tha Sanders.

Woodward ka shkruar edhe libra rreth ish-presidentëve Barak Obama, Xhorxh W. Bush dhe Bill Klinton. Woodward nuk i përmend burimet e tij. Megjithatë, ai me sa duket kishte akses të gjerë në brendësi të Shtëpisë së Bardhë dhe i përshkruan disa nga ndihmësit kryesorë të Trump dhe anëtarët e kabinetit qeveritar si të përbuzur nga shefin ekzekutiv.

Ndërkohë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kritikoi një libër për Shtëpinë e Bardhë nën udhëheqjen e tij, të shkruar nga gazetari Bob Woodward.

Trump e cilësoi atë si “mashtrim për publikun”.

Shefi i stafit të tij dhe sekretari i Mbrojtjes po ashtu thanë se libri është “patetik” dhe “trillim”.

Në reagimin e tij në Twitter, Presidenti Trump thotë: “A nuk është turp që dikush të shkruajë një artikull apo një libër, të sajojë histori krejtësisht të paqena dhe të formojë një imazh që është plotësisht e kundërta e personit që përshkruan dhe të kalojë pa ndonjë ndëshkim apo kosto”. Nuk e kuptoj pse politikanët e Uashingtonit nuk i ndryshojnë ligjet për shpifjen?

Ajo që shihet qartë është që e gjitha kjo po ndikon në imazhin e Trump, dhe Woodward mund të konsiderohet një rrezik i ri për Trump.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN