Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi, drejtorin e ARRSH-së Afrim Qendro dhe deputeten Elisa Spiropali inspektuan përfundimin e punimeve për ndërtimin e lotit të parë të aksit kombëtar Korçë-Ersekë.
Aksi i ndërtuar ka një gjatësi 17.6 kilometër dhe është një rrugë e kategoricë “C1”. Me kërkesën e Bashkisë Korçë projekti ka pësuar ndryshime gjatë zbatimit të tij ndërsa në zonën urbane rreth 2 kilometër është plotësuar edhe me korsinë e biçikletave, pemët dekorative, ndriçimin rrugor, trotuaret.
I gjithë projekti për lidhjen e Korçës me Ersekën është i ndarë në 3 lote ndërsa ministri Gjiknuri tha se qeveria është e vendosur për të financuar edhe lotet e tjera deri në përfundimin e plotë të aksit deri në Ersekë.
“Ky është loti i parë. Qeveria shqiptare në planin e saj ka edhe vazhdimin e dy loteve të tjera për përfundimin e rrugës deri në Ersekë. Me optimizimin e buxhetit dhe me përfundimin e të gjitha prokurimeve për këtë vit, besoj vitin tjetër do të jetë e mundur edhe fillimi i lotit tjetër drejt Ersekës që do ta kompletojë edhe këtë pjesë kaq të rëndësishme të Shqipërisë. Programet e qeverisë shqiptare për infrastrukturën rrugore do të vazhdojnë dhe ne atë që kemi thënë do ta bëjmë realitet, që në krye të katër viteve do të përfundojmë të gjitha kantieret e hapura dhe do të mbyllim çdo vepër që po hapim tani, që Shqipëria të ketë një rrjet rrugor kombëtar me gjithë parametrat që duhen”, nënvizoi ministri Gjiknuri.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi vuri theksin tek fakti se loti i parë i Korçë-Ersekë krijon lidhjen e qytetit me 4 fshatra të cilat janë pjesë e projektit “100 Fshatrat”.