Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini, tha të shtunën “Nuk më intereson” nëse Komisioni Europian hedh poshtë një plan buxhetor, të vendosur tashmë nga qeveria italiane.
“Askush në Bruksel nuk mund të më thotë se nuk është koha për këtë buxhet,” tha kreu i partisë së së djathtës ekstreme në një takim në kryeqytetin italian.
“Nëse Brukseli thotë se nuk mund ta bëj atë, nuk më intereson, unë do ta bëj gjithsesi”, u shpreh lideri.
Qeveria e re e koalicionit në Itali ka hartuar një buxhet që rrit shpenzimet, shtyn objektivin e deficitit publik në rreth 2.4 përqind të prodhimit të brendshëm bruto për tre vitet e ardhshme dhe ndoshta rrit borxhin publik mbi nivelin e saj tashmë të tepërt prej 131 përqind të PBB-së.
Qeveria e mëparshme synonte një deficit prej 0.8 përqind të PBB-së që do të ndihmonte në reduktimin e borxhit, por ndoshta do të pengonte rritjen ekonomike.
Një paralajmërim nga zyrtarët e BE të premten rreth deficitit italian trazoi tregjet financiare dhe shtyu koston e huamarrjes për qeverinë.
“Është një buxhet që duket të jetë përtej kufijve të rregullave tona të përbashkëta,” vuri në dukje Pierre Moscovici, i cili drejton portofolin ekonomik dhe financiar të Komisionit Evropian.
Presidenti italian Sergio Mattarella paralajmëroi qeverinë të shtunën se kushtetuta kërkon një buxhet të balancuar dhe borxh të qëndrueshëm publik.
Komisioni vlerëson se ekonomia e Italisë do të rritet me vetëm 1.1 përqind vitin e ardhshëm.