Duket e pabesueshme që një serb të thotë diçka të tillë për një shqiptar, por futbolli ka rregulla. Klubi i Crvena Zvezda-s ka premtuar të mbrojë Xherdan Shaqirin nga situatat e padëshiruara, kur ylli i Liverpool të mbërrijë në Serbi për ndeshjen e Champions League në nëntor.
Drejtori i përgjithshëm Zvezdan Terzic beson se zvicerani, i lindur në ish-Jugosllavi nga prindër kosovarë, do të jetë nën presion të madh për shkak të historisë së tij. Shaqiri ka shkaktuar polemika gjatë Kupës së Botës kur festoi golin e minutave të fundit ndaj Serbisë me simbolin e shqiponjës.
“Personalisht, nuk e imagjinoj dot një shqiptar të luajë për Crvena Zvezda-n. Mendoj se Shaqiri do të jetë nën presion të madh psikologjik, pasi ai e di se ku do të vijë. Ai e di se Crvena Zvezda është simboli i Serbisë dhe të luash në Marakana, për të nuk do të jetë e lehtë.
Patjetër, si një klub futbolli, ne i trajtojmë kundërshtarët njësoj dhe nuk duhet të merremi me të shkuarën. Crvena Zvezda duhet të bëjë çmos për të lejuar Shaqirin të luajë futboll dhe është detyra jonë ta mbrojmë për të shmangur situata të padëshiruara. Duhet të jemi mikpritës të mirë” – u shpreh Terzic.