Mesfushori shqiptar i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, ka thënë se me patjetër që do të udhëtojë me skuadrën e tij drejt Beogradit për ndeshjen e Champions League kundër Crvena Zvezdes, pas paralajmërimeve se e pret një natë e vështirë në kryeqytetin serb.
Skuadra e Jurgen Klopp do të udhëtojë drejt kryeqytetit të Serbisë më 6 nëntor, për ndeshjen e Grupit C kundër Crvena Zvezdes në Ligën e Kampioneve. Shaqiri i tërboi serbët, pasi e festoi duke e bërë shqiponjën dykrerëshe golin e fitores kundër Serbisë gjatë verës në Rusi.
Kjo nënkupton se paraqitja e mundshme e Shaqirit në stadiumin e Zvezdës “Marakana” është bërë temë e madhe diskutimi në Beograd që prej hedhjes së shortit të Ligës së Kampionëve.
“Nuk frikësohem aspak. I kam lexuar ato që janë shkruar, ama nuk ia kam frikën askujt!”, – tha Shaqiri pas humbjes së Zvicrës ndaj Anglisë 1-0 në një ndeshje miqësore të martën mbrëma.
Por a do ta ketë rastin Shaqiri të luajë në këtë ndeshje sado pak? Në katër ndeshjet e para të Liverpool në Premier League, shqiptari i Zvicrës dy herë u fut nga stoli në minutat e fundit.
Megjithatë, ai thotë se është i kënaqur dhe se po punon mirë çdo ditë: “Jam i lumtur kur shoh çfarë lojtarësh nuk ia dalin të futen as në stol. Duhet të punoj fort çdo ditë në stërvitje për ta treguar veten. Kam marrëdhënie të mira me trajnerin dhe gjithë të tjerët”.