MENU
klinika

Sot, ndeshja në Ligën e Kombeve

Shqipëri-Izrael, gjithçka nis nga e para…

07.09.2018 - 12:46

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë sonte në mbrëmje, nga ora 20:45, sfidën e parë në Ligën e Kombeve me Izraelin, në “Elbasan Arena”. Kjo është ndeshja e parë e kompeticionit më të ri të UEFA-s, për të dyja palët.

Një kundërshtar jo i panjohur për ne, sepse e kishim në grup në eliminatoret e Botërorit të kaluar. Izraeli na mundi 3-0 në ndeshjen e parë, në “Elbasan Arena”, pastaj u detyrua të pranojë në shtëpi “hakmarrjen” kuqezi, me po të njëjtin rezultat.

Asokohe, trajneri ynë ishte Gianni De Biasi, ndërsa sot do të ketë rastin të tregojë Shqipërinë e tij të vërtetë një tjetër italian, Christian Panucci. Ky i fundit nuk ka “ngjitur” ende në këtë pozicion, nuk i ka fituar dot zemrat e tifozëve të kombëtares.

kombetarja ne durres para izraelit
kombetarja ne durres para izraelit

Në llogoren tjetër debuton austriaku Andreas Herzog, i cili ka pasur vetëm fjalë pozitive për Shqipërinë në konferencën për shtyp, para ndeshjes. Thënë ndryshe, kemi të bëjmë edhe me një sfidë mes trajnerësh.

Gjithçka nis nga barazpesha e plotë: nga një fitore për secilën kombëtare, me golaverazhin 3-3. Shqipëria fitoi 3-0 në Haifa, në qershor 2017, ndërsa Izraeli kishte triumfuar po me të njëjtin rezultat në Elbasan, në nëntor 2016, në ballafaqimet më të fundit të dy kombëtareve.

Liga e Kombeve rrjedh si një kompeticion i ri nga dëshira e UEFA-s dhe 55 federatave të saj anëtare për të përmirësuar cilësinë dhe qëndrimin e futbollit të ekipeve kombëtare, me besimin në rritje se ndeshjet miqësore nuk po ofrojnë konkurrencë adekuate.

liga e kombeve grupet

Formati i kompeticionit është i tillë: të 55 skuadrat kombëtare europiane janë ndarë në katër liga, në përputhje me renditjen e koeficientëve të UEFA-s, më 11 tetor 2017.

Liga A përfshin kombëtaret e renditura më lart, ndërsa Liga D ato të pozicionuara më ulët në UEFA. Shqipëria është në Grupin C1, së bashku me Skocinë dhe Izraelin, me katër grupe të plota në Ligën C.

Ky rrugëtim nis sonte për kuqezinjtë tanë, të cilët nuk janë në momentin e tyre më të mirë. Dy titullarë të padiskutueshëm, Armando Sadiku dhe Odise Roshi mungojnë për arsye dëmtimesh.

Sulmuesi elbasanas ishte heroi i sfidës së fundit me izraelitët në Haifa, ku shënoi dy gola të bukur. Ai ua ka lënë “skenën” dy shkodranëve, Bekim Balaj dhe Sindrit Guri, për të zgjedhur mes tyre “pykën” e vetme, që do të aktivizojë në repartin e përparmë trajneri Panucci.

panuci dhe agolli
panuci dhe agolli

Mbrojtja është evidentuar mjaft problematike nën drejtimin e Panuccit, duke pësuar gola në çdo ndeshje. Jashtë listës ka mbetur Arlind Ajeti, pa skuadër, ndërkohë që në gatishmëri do të jetë Mërgim Mavraj, edhe pse ka muaj pa luajtur një ndeshje zyrtare.

Vetëm ditët e fundit, qendërmbrojtësi kuqezi ka siguruar klubin e ri, Aris të Selanikut, çka tregon se i mungojnë “koordinatat” e duhura fiziko-sportive në këtë moment. Megjithatë, vlen shumë eksperienca e tij, çka do të thotë se mund të rrezikojë startimin e Veselit.

Prapavija jonë ndaj Izraelit pritet të konfirmojë Hysajn dhe Gjimshitin, ndërsa mbetet për t’u parë nëse rikthimi i Agollit në kombëtare do të thotë edhe rikthim në formacion.

Dje foli si kapiten në konferencën për shtyp, ndaj parathënia e diçkaje të tillë na bën të kuptojmë se do ta shohim në të majtë të repartit të pasmë kuqezi veteranin 37-vjeçar. Megjithatë, edhe këtu nuk flitet me siguri, teksa debutuesi Binaku duket se e ka futur në mendime trajnerin kuqezi.

kombetarja
kombetarja

Porta pritet t’i besohet Thoma Strakoshës, gjithnjë në ngritje, edhe për faktin se Etrit Berisha ka pasur disa oshilacione në paraqitjet e veta me Atalantën. Vetëm në këtë rast, eksperienca nuk hyn në punë, kësaj here.

Mesfusha do të rigjejë dy katalizatorët, Memushaj dhe Basha. I pari në kërkim të identitetit në nivel klubi, jo në më të mirën e tij, ndërsa mesfushori i Aris të Selanikut në një rini të dytë, pavarësisht viteve.

Për të ndërtuar “digën” ndaj kundërshtarit do të ketë vend edhe për Xhakën, i cili ka pak kohë që iu është rikthyer fushave të blerta, pas dëmtimit. Krahët e këtij reparti pritet t’iu besohen Jahmir Hykës, një rikthim tjetër kuqezi, që përfiton nga eksperienca, dhe Enis Gavazajt.

Nuk ia ka dalë dot të japë ndihmesën e tij Eros Grezda, blerja e re e Rangers F.C., për shkak se vjen nga dëmtimi. Ai është larguar nga grumbullimi kuqezi, duke “hapur krahun’ për të tjerët.

Kombetarja ndeshja miqesore me Norvegjine
Kombetarja ndeshja miqesore me Norvegjine

Maja e sulmit pritet të ketë emrin e Balajt, i cili thuhet se ka fituar balotazhin me shkodranin tjetër, Guri. Një tjetër rast, kur vendos eksperienca, gjëje së cilës i është “dorëzuar” trajneri Panucci, duke parë se të rinjtë që iu dha aq shumë besim në sfidat miqësore pararendëse, nuk e justifikuan veten.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN