MENU
klinika

Liga e Kombeve

Sonte ndaj Skocisë, ja si pritet të luajë Kombëtarja

10.09.2018 - 11:15

Kombëtarja shqiptare do të luajë sonte, në orën 20:45, në “Hampden Park”, ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, pikërisht ndaj Skocisë vendase. Do të jetë një kundërshtar “i plagosur”, sikurse e ka quajtur edhe trajneri Christian Panucci, ndaj të cilit do të kërkohet maksimumi.

Megjithatë, nuk do të jetë kurrsesi e lehtë, aq më tepër që pritet një stadium i zjarrtë në favor të vendësve. Kuqezinjtë duhet të përmirësojnë disa gabime, të vërejtura në sfidën inauguruese të këtij kompeticioni, sidomos në mbrojtje, në të kundërt skocezët janë gati të ndëshkojnë.

Futbolli i tyre fizik dhe me topa të gjatë e detyron trajnerin tonë të kombëtares të ndryshojë jo vetëm modul loje, por edhe qasje taktike. Sigurisht, kjo duhet bërë me përforcime në mbrojtje, duke tentuar që ky repart të jetë i pakalueshëm.

kombetarja ne durres para izraelit
kombetarja ne durres para izraelit

Nevoja është sidomos për lartësi, ndaj katërshes që luajti ndaj Izraelit do t’i shtohet edhe Mërgim Mavraj. Saktësia dhe qetësia e tij, e treguar thuajse në të gjitha ndeshjet që ka luajtur me fanellën kuqezi, janë një “ilaç” për prapavijën tonë kuqezi.

Panucci do të kalojë në skemën 5-4-1, me qasje të dukshme difensive. Një rreshtim i tillë do të jetë strikt, kur Skocia do të sulmojë, pastaj, anësorët e krahut, Hysaj dhe Binaku, mund të dalin përpara kur ne të kemi topin dhe të nisim manovrën ofensive ndaj skocezëve.

Sikurse shihet, nuk ka vend nga fillimi as në këtë ndeshje për kapitenin Ansi Agolli. I riu Binaku e ka fituar “me dhunë” vendin në të majtë të mbrojtjes kuqezi, falë paraqitjes mbresëlënëse ndaj Izraelit, ku ishte debutues.

kombetarja ndaj Izrael
kombetarja ndaj Izrael

Mesfusha do të luajë me katër. Në qendër do të jetë dyshja Xhaka-Basha, ndërsa nga krahët Hyka dhe Memushaj. Lojtari i Bazelit do të duhet të bëjë “filtrin” e parë të Skocisë, duke u munduar t’i thyejë sulmet e saj që në nisje, ndërsa mesfushori i Aris të Selanikut është “amortizatori” i lojës së kombëtares.

Nga këmbët e tij duhet të kalojë topi nga mbrojtja në mesfushë, për t’u shpërndarë në krahë, te Hyka, që duhet të angazhohet veçanërisht në driblimet 1 me 1, duke ditur aftësitë e tij specifike në këtë drejtim, por edhe te Memushaj, si një mbështetës më i afërt për majën e sulmit, Bekim Balaj.

Panucci kërkon, më së pari, të mos pësojë gol. Pastaj, sipas mundësive, do të tentojë maksimalen, tri pikët. Ana psikologjike anon nga kombëtarja jonë, që vjen pas një suksesi 1-0 ndaj Izraelit, ndërsa Skocia duket në një krizë të vërtetë, aq më tepër pas “drurit” që mori në miqësoren e para tri ditëve nga Belgjika, duke u mundur 4-0.

Mbetet të shihet në çfarë mase do të ketë ndikim përgatitja fizike dhe atletike, që edhe natyrshëm flet për skocezët. Këta të fundit do të kenë edhe një stadium “vullkanik” me vete, presioni i të cilit do të rëndojë jo pak në kurrizin e kuqezinjve.

Një “ferr” për ta, për çka i ka paralajmëruar edhe trajneri Panucci. Gjithçka duket gati për këtë sfidë, e cila do të gjykohet nga një 4-she sllovene, me kryesor Matej Jug. Ky i fundit e ka abritruar përfaqësuesen kuqezi në një miqësore me Marokun, që përfundoi në barazim 0-0.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN