MENU
klinika

Mesfushori i Kombëtares

“Telenovela Qaka”, kuqeziu kthehet në “bazë”

03.09.2018 - 12:15

Një histori ku asnjë palë nuk ka fituar, por natyrisht, më i humburi është Kamer Qaka, lojtari i kombëtares sonë kuqezi. Ai bëri një rikthim pas vetëm disa muajsh, pasi u transferua te nënkampionët e Rumanisë.

Mesfushori do të nënshkruajë sot kontratën e re me Poli Iasi, por do të ketë një pagë më të ulët se te Steaua Bucuresti. Megjithëse fillimisht besohej se shqiptari do të huazohej, transferimi është definitiv.

Kamer Qaka ka luajtur vetëm 381 minuta në radhët e FCSB, në të gjitha garat, pa arritur të shënojë gol. Mesfushori shqiptar nuk arriti ta bindë presidentin Gigi Becali, i cili pagoi 375.000 euro, plus TVSH. Rumunët e shpenguan atë për 200.000 euro, plus TVSH, dhe i ofruan atij një kontratë trevjeçare.

Natyrisht, paga e Qakës te Poli Iași do të jetë më e ulët. Në dy vitet e para te FCSB, Kameri do të kishte marrë 12.000 euro në muaj, ndërsa gjatë tri viteve të ardhshme 13.000, 14.000 dhe 15.000 euro në muaj, respektivisht.

Te Poli Iași, sipas “Digi Sport”, Qaka do të përfitojë 10.000 euro në muaj. Marrëveshja ishte mjaft e kushtueshme për Gigi Becali. Presidenti i FCSB humbi pothuajse 200.000 euro, nëse marrim parasysh pagën e shqiptarit, të paguar te kuqeblutë për dy muajt e kaluar në ekipin e Nicoale Dică.