Nuk ka më rrugë të mesme, Tirana ka shkarkuar trajnerin Ze Maria. Të paktën kështu shkruan “sportekspres.com”. Numri një i stolit nuk ka bindur askënd dhe arsyeja e shkarkimit ishte derbi i humbur me Partizanin. Kjo disfatë i vuri kapakun, pasi në të vërtetë në këtë vendim ndikoi dhe ecuria jo e mirë e bardhebluve në këtë fillim sezoni dhe problemet e teknikut me lojtarët.
Referuar të njëjtit burim, ndarja e rrugëve pritet të bëhet zyrtare nga klubi brenda pak orëve, por ka vetëm një problem. Kontrata afatgjatë e Ze Marias, e cila duhet të prishet. Braziliani nuk pranon që të largohet pa dëmshpërblim, prandaj presidentit Refik Halili i ka mbetur sërish “dopio gjashta” në duar.
Presidentit i duhet të gjejë zgjidhjen me 45-vjeçarin, në të kundërt, i bie që të paguajë kontratën e tij deri në fund, që do të thoshte mijëra euro të hedhura kot. Largimi i Ze Marias sjell dhe një tjetër problem, pasi bashkë me të largohet dhe stafi i huaj i teknikut brazilian.
Tirana mund të drejtohet në ndeshjen kundër Kastriotit nga trajneri i portierëve, Egbo. Situata është delikate dhe duhet të marrë zgjidhje shpejt. Të shohim dhe të presim se çfarë do të ndodhë, ndërkohë kanë nisur të lakohen edhe emrat e parë që mund ta zëvendësojnë.