MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 3

Vendos Rexhinaldo, Kukësi fundos Tiranën

02.09.2018 - 19:01

Fitorja e parë e Kukësit në kampionat dhe arrin ndaj Tiranës, ekipi që ende nuk ka arritur të marrë pikë të plota. Tre gola të shënuar nga Rexhinaldo dhe një nga Muçi bënë që ndeshja të mbyllej me rezultatin 3-1. Një ndeshje e zgjidhur shpejt në fakt.

Rexhinaldo që në minutën e dytë arriti të shënojë për Kukësin. Galopim i sulmuesit, i cili pasi shmangu Atingën në hyrje të zonës, i vetëm me Likën nuk gaboi. Kjo bëri që edhe loja e skuadrës së Cungut të ishte e kujdesshme.

Tirana përpiqet për të gjetur golin e barazimit dhe rastin më të mirë e patën me Sentamu, por sulmuesi u tregua i pasaktë para Frashërit. Kur po mbyllej pjesa e parë, Rexhinaldo sërish shënoi për Kukësin. I lënë vetëm në një goditje këndi, ish-lojtari i Laçit me kokë nuk fali dhe e çoi skuadrën e tij në dhomat e zhveshjes në avantazh të dyfishtë.

Ze Maria me nisjen e pjesës së dytë bëri tri lëvizje njëherazi. Nuk kishte çfarë humbiste dhe në fushë zbritën Muçi, Greca dhe Ofei, të tre lojtarë sulmues.  Ritëm tjetër nga Tirana, që përpiqet të hapë takimin dhe ia arrin.

Në të 61’ Frashëri nuk kontrolli topin si duhet dhe më pas topi shkoi te Ofei, i cili goditi shtyllën. Topi i kthyer u shfrytëzua nga Muçi, i cili shënoi për Tiranën. Gjithsesi shpresat u shuan shpejt, pasi Rexhinaldo tre minuta më pas shënoi sërish për Kukësin.

Lika devijoi një kros në zonë dhe Rexhinaldo në gatishmëri goditi fort dhe shënoi për verilindorët. 3-1 dhe deri në fund rezultati nuk ndryshoi, ndërkohë që edhe ritmi i lojës ra disi. Në të 70’ Cungu pretendoi për një penallti, por gjyqtari Xhaja bëri shenjë për vazhdimin e lojës.

Kukësi me këtë fitore shkon në kuotën e katër pikëve, duke u ngjitur në klasifikim, kurse Tirana mbetet në vend të parafundit me vetëm një pikë.