MENU
klinika

Ndeshja për Ligën e Kombeve

Vjen Izraeli, Shqipëria sërish në shtetrrethim?!

05.09.2018 - 11:46

Para dy vitesh, më konkretisht më 12 nëntor 2016, Shqipëria luante ndeshjen kualifikuese për “Russia 2018” ndaj Izraelit. Ishte vendosur të luhej në Shkodër, por u ndryshua stadiumi dhe u luajt në “Elbasan Arena”. E gjitha kjo si pasojë e sinjalizimeve për kërcënime në Shkodër, ku u arrestuan edhe disa persona.

Kombëtarja shqiptare humbi 0-3 dhe një pjesë e futbollistëve e interpretuan edhe si pasojë e situatës së “luftës”, që mbizotëronte brenda dhe jashtë stadiumit, me forca të shumta e të gjitha llojeve të policisë e sigurisë.

Shumë tifozë nuk mundën dot të hyjnë, ndërsa prej asaj dite “Tifozat Kuq e Zi” morën vendimin që mos hyjnë më në stadium në ndeshjet brenda. Duket se gjithçka do të përsëritet edhe kësaj here në organizim, kur e njëjta kombëtare vjen për të luajtur më 7 shtator, po në “Elbasan Arena”, kundër kombëtares sonë, në kuadrin e Ligës së Kombeve.

Burime nga policia shqiptare dhe organet e sigurisë në vend bëjnë me dije se masat do të jenë tepër të rrepta në funksion të kësaj ndeshjeje. Por, Shqipëri-Izrael duket se ka preokupuar deri Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH), që i ka paralajmëruar shtetasit amerikanë me banim në Shqipëri të bëjnë kujdes përpara dhe gjatë ndeshjes në fjalë.

Në Tëitter-in e DASH-it lexohet: Një ndeshje futbolli do të luhet mes Shqipërisë dhe Izraelit më 7 shtator, ora 20:45. Edhe pse nuk jemi në dijeni për kërcënime specifike ndaj shtetasve amerikanë, i ftojmë që të kenë kujdes pranë stadiumit të Elbasanit, para dhe gjatë ndeshjes”.

Diçka e rrallë kjo tërheqjeje vëmendjeje në rastet kur luan kombëtarja shqiptare, një sinjal që vjen nga SHBA, i cili tregon se tifozët do të kalojnë “nëpër vrimën e gjilpërës” më 7 shtator, qoftë rrugës për në Elbasan, por edhe në hyrjet për në “Elbasan Arena”. Edhe orari I ndeshjes nuk është shumë komod, do të luhet në orën 20:45.