Situata në Kombëtaren shqiptare nuk është ajo më e mira, të paktën sa u përket rezultateve. Presioni mbi Christian Panucci-n është rritur shumë, edhe opinioni më shumë është kundër tij. Megjithatë, eksperienca e kreut të FSHF-së, Duka, ka bërë që mos nxitohet në shkarkime.
Gjithsesi, Panucci është i rrezikuar, sidomos nëse Shqipëria humb një vazo, pra kalon në të fundit. Dhe mund të ketë zhvillime. Një nga trajnerët më të suksesshëm shqiptar, Besnik Hasi, nuk po kalon një moment të mirë në kampionatin arab me Al Raedin, si në rezultate, ashtu edhe në harmoninë në grup.
Sikur të mos mjaftonte fakti që në pesë ndeshje, skuadra e drejtuar nga Hasi numëron 5 pikë, tashmë janë edhe futbollistët të cilët kanë nisur të bojkotojnë stërvitjen. Sultan Al-Sauadi dhe Mohamed Al-Omari janë dy futbollistët të cilët nuk i janë paraqitur në stërvitje Hasit dhe arsyet nuk bëhen të ditura as nga vetë futbollistët.
Ata nuk e kanë justifikuar në klub mungesën e tyre dhe janë shprehur se në këtë mënyrë do të veprojnë sërish, kështu që klubi le t’i dënojë sipas rregullave të brendshme.
Kjo e ka zemëruar më shumë teknikun shqiptar, pasi Al Omari ka ndjekur Al Sauadin dhe ka kërkuar nga klubi që edhe në rast se rikthehen në stërvitje, t’i lejojnë që të stërviten individualisht, duke shmangur komunikimin me Hasin.
Pra, aventura në Arabi nuk është “fushë me lule” për Hasin dhe nuk është cudi që ai të largohet. Dhe gjithashtu nuk është aspak habi që të “kryqëzohen” rrugën me Kombëtaren shqiptare, pasi mund të përkojnë Hasi i lirë dhe ekipi kuqezi pa trajner.
Besnik Hasi është lakuar edhe dy herë të tjerë për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare. Kjo mund të jetë e treta e vërteta. Ish-kapiteni kuqezi e ka deklaruar hapur kohë më parë se do vijë edhe moment i ribashkimit…