MENU
klinika

Evoluim

A janë vaksinat e ardhmja në luftën kundër kancerit?

11.10.2018 - 14:02

Një vaksinë e personalizuar mbajti nën kontroll zhvillimin e kancerit, kur u përdor në një grup pacientësh që pranuan vullnetarisht ta aplikonin atë, krahasuar me grupin tjetër të pacientëve që nuk e aplikuan.

Duke përdorur qelizat e gjakut të vetë pacientëve, hulumtuesit në Institutin Kombëtar të Kancerit të SHBA modifikuan qelizat imune dhe krijuan vaksina të personalizuara për të targetuar kanceret HER2-pozitive,

– (HER2 është një proteinë e krijuar nga gjeni HER2. Proteinat HER2 janë receptorë në qelizat e gjirit. Ata janë të përfshirë në rritjen normale të qelizave. HER2 shfaqet në disa qeliza të kancerit, veçanërisht për kancerin e gjirit dhe ovarian).

Një përfitim u pa në njerëzit me kancer në stomak, në zorrën e trashë dhe vezore, tha autori i studimit Dr Jay Berzofski (HealthDay report – 1 tetor 2018).

Vaksina “ishte e sigurt te njerëzit, pa asnjë efekt anësor të menjëhershëm apo të vonuar. Përfitimi klinik u vërejt në gjashtë nga 11 pacientë, të dhënat e të cilëve ishin të disponueshme për analiza,” tha ai.

Berzofsky është shefi i degës së vaksinave në Qendrën për Kërkimin e Kancerit në Institutin Kombëtar të Kancerit. Megjithatë, qëllimi i studimit të hershëm ishte vetëm për të parë se çfarë doze të vaksinës duhet të jepet dhe që mos të jetë toksike, sipas Dr. Otis Brawley, zyrtari kryesor mjekësor i Shoqatës Amerikane të Kancerit.

Brawley tha se është një shenjë e mirë për të parë një përfitim të dukshëm në një fazë të parë, por paralajmëroi se kërkimi është “tepër i hershëm”.

Është shumë herët për të treguar entuziazëm. Ata tregojnë disa dëshmi të qarta për një përfitim dhe është një investim i mirë për të ndjekur këtë drejtim”, u shpreh ai.

Berzofsky tha se kërkuesit nuk e dinë mekanizmin e saktë të suksesit të vaksinës, por janë duke vazhduar kërkimet për të kuptuar më mirë se si funksionon vaksina.

Studimi përfshinte 11 njerëz që u është dhënë doza më e ulët e vaksinës sepse vetëm kjo mund të vleresohej. Gjashtë vetë – 54% e pacientëve – treguan një përfitim nga vaksina.

Një paciente me kancer në vezore kishte një përgjigje të plotë që zgjati 89 javë. Një përgjigje e plotë do të thotë se kanceri nuk mund të gjendet më në gjak ose me ekzaminimet imazherike tha Brawley.

Një tjetër pacient, i diagnostikuar me kancer gastroesophageal – kishte një përgjigje të pjesshme që zgjati për muaj, thanë hulumtuesit. Përgjigje e pjesshme do të thotë se kanceri është ulur me 50 për qind ose më shumë, tha Brawley.

Katër pacientët e mbetur – dy me kancer të zorrës së trashë, një me kancer ovarian dhe një me kancer të prostatës – e kishin sëmundjen e tyre të stabilizuar.

Studiuesit planifikojnë të kombinojnë vaksinën aktuale me një ilaç që mund të ndihmojë në kapërcimin e aftësisë së kancerit për të shtypur sistemin imun në fazën e ardhshme të hulumtimit.

Brawley shpjegoi se të gjithë kanë qeliza të bardha të gjakut që qarkullojnë në gjakun e tyre, duke kërkuar për qeliza kanceroze në trup. Këto qeliza të sistemit imunitar i gjejnë qelizat e kancerit dhe i vrasin ato. Por qelizat e kancerit mësojnë të anashkalojnë këto qeliza vrasëse.

Ata në thelb vendosin “një flamur të bardhë” pra maskohen dhe e bëjnë këtë për të sinjalizuar leukocitet apo ruazat e bardha se janë miqësorë.

Por medikamentet frenuese të pikave të kontrollit mbulojnë atë flamur të bardhë, duke i lejuar qelizat e bardha të gjakut për të parë dhe vrarë qelizat e kancerit.

Berzofsky tha: “Ne mendojmë se ky kombinim mund të jetë më efektiv sesa përdorimi i agjentëve individualë, pasi ne besojmë se vaksinat mund të forcojnë funksionin imunitar dhe shtimi i inhibitorëve të pikave të kontrollit mund të kapërcejë efektin pengues të kancerit”.

Këto rezultate u prezantuan të dielën në një takim të sponsorizuar nga Instituti i Kërkimeve të Kancerit, Shoqata e Imunoterapisë së Kancerit, Akademia Europiane e Imunologjisë Tumore dhe Shoqata Amerikane për Kërkimin e Kancerit në New York City. Hulumtimet e paraqitura në takime duhet të konsiderohen paraprake deri sa të botohen në një revistë serioze.