Policia e Shtetit arrestoi ditën e sotme për krrupsion pasiv, ish-drejtorin e burgjeve dhe njëkohësisht ish-deputetin socialist Arben Çukon.
Pas këtij lajmi ka reaguar dhe mazhoranca.
Kryeministri, Edi Rama, shpreh keqardhje për arrestimin e Çukos por shton se për mazhorancën nuk ka dy qëndrime në raport me ligjin.
” Keqardhje për A.Çukon po për ne s’ka dy qëndrime në raport me ligjin,ka vetëm një; s’ka dy qasje në raport me drejtësinë, ka vetëm një; s’ka dy fytyra në raport me qytetarët, ka vetëm një! Ne s’jemi e kurrë s’do jemi njësoj si të tjerët. Ne gjithnjë kemi vetëm një krah: Drejtesine!”, shkruan Rama në një postim në Twitter.
Nga ana tjetër dhe ministria e Drejtësisë përshëndet arrestimin nga policia të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve Arben Çuko.
Në një njoftim për mediat, Ministrja Etilda Gjonaj thotë se “në cilësinë e Ministres së Drejtësisë, në datën 3.09.2018 i kam propozuar Kryeministrit shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Arben Çuko”.
Gjonaj thekson se shkarkimi i tij imediat për keqmenaxhim të patolerueshëm dhe dyshime të forta për korrupsion, ka çuar në një hetim të thelluar administrativ.
“Në cilësinë gjithashtu edhe të Koordinatores Kombëtare të Task-Forcës Antikorrupsion i kam dërguar prokurorisë të gjitha materialet e konstatuara nga auditimi i brendshëm si shkelje të kryera në Drejtorinë e përgjithshme të burgjeve” shton Gjonaj.
Ministrja thotë se përshëndet dhe mbështet prokurorinë në zbardhjen deri në fund të veprimeve të ish-Drejtorit dhe shpreh edhe njëherë vullnetin e hekurt të qeverisë shqiptare për të luftuar korrupsionin pa bërë dallime të asnjë natyre.
“Vija e sjelljes së kësaj qeverie ndaj korrupsionit është e qartë: Çdokush që shkel ligjin ka punë me drejtësinë. Pa dallim ngjyre, përkatësie politike apo ideje të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe do të përgjigjen po njësoj përpara tij”.