MENU

Dosja ‘Babalja’

Babalja/ Publikohet akt-ekspertiza e përgjimit në dosjen e prokurorisë

08.10.2018 - 21:24

Është bërë publike akt ekspertiza e prokurorisë për dosjen ‘Babalja’, ku thuhet se audio-përgjimi i publikuar nga PD, që implikonte vëllain e Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, në pazare droge, nuk është origjinal.

Në akt-ekspertizë thuhet se regjistrimet e zërave nuk janë origjinale, pasi ka prerje, mbivendosje, montazhe apo dhe ndërhyrje.

Po ashtu bazuar tek akt-ekspertiza, në bisedën e parë kuptohet edhe se kush është ‘bashkëpunëtori, por nuk arrihet të dëgjohet ‘Agroni’.

AKTI I EKSPERTIMIT KA KONKLUDUAR:

Regjistrimet nuk janë regjistrime origjinale. Regjistrimi video ishte marrë nga pamjet e mediave. Ajo përbëhej nga dy video, shkrim dhe dy biseda të regjistruara. Këto dy biseda janë fokusi i analizës së ekspertes. Nuk ka qenë në gjendje të marrë regjistrimet origjinale të këtyre bisedave.

Biseda e parë: Biseda e parë ndodh në minutën 1 e 4 sekonda të kohës së videos dhe zgjat për 14 sekonda. Ajo duket të jete një pjesë e një thirrjeje telefonike dhe folësit janë emërtuar, “bashkëpunëtori” dhe “Agroni”.: Megjithatë vetëm e folura që i atribuohet bashkëpunëtorit është e dëgjueshme (e kapshme). Dhe për këtë arsye ekspertiza ka ekzaminuar bashkëpunëtorin, por jo Agronin nga kjo bisedë.

Biseda e dytë: Regjistrimi i dytë, i cili është një bisedë e bërë ballë për ballë, ndodh në minutën 1 e 25 sekonda të kohës së videos. Ajo zgjat 1 minutë e 46 sekonda. Përsëri ajo është një bisedë midis burrit të quajtur “bashkëpunëtori” dhe “Agronit”. Në këtë regjistrim e folura nga të dyja palët është e dëgjueshme. Ndërsa shumica e bisedës është midisin “Agronit” dhe bashkëpunëtorit, ka shenja që në sfond është edhe zëri i një burri të tretë. Regjistrimi nuk e përmban bisedën e plotë. Nuk ka hapje të bisedës apo përshëndetje, gjëra të cilat për dikë janë të pritshme, si fillim kur palët takohen. Biseda vetë është shumë e shkurtër dhe gjithashtu shfaqen ndryshime shume të papritura sa i takon temave të bisedës. Dy janë shpjegimet e mundshme:

A – Regjistrimi është një pjesë të mbledhura nga një regjistrim më i gjatë dhe

B – Vetëm një pjesë e bisedës është regjistruar.

-Gjendet mbështetje e fortë në qëndrimin se folësi në fjalë i emëruar bashkëpunëtori, në bisedën e parë është Albert Veliu.

-Gjendet mbështetje e fortë e moderuar në qëndrimin se folësi në fjalë i emëruar bashkëpunëtori, në bisedën e dytë në fjalë është Albert Veliu.

-Gjendet mbështetje e fortë se folësi në fjalë, i emëruar Agroni, në bisedën e dytë në fjalë nuk është Agron Hyseni.

-Vërehen ndryshime të rëndësishme forensike midis zërit të Agronit dhe atij të zotit Hyseni

-Kampioni i bisedës në regjistrimin Agroni në bisedën e dytë, objekt ekspertimi, nuk është i përshtatshëm për të arritur në konkluzion (pozitiv ose negativ) lidhur me zotërinë Alizoti dhe Xhafaj.

Kampioni i ligjëratës në “Agroni” nuk është i mjaftueshëm për të arritur në konkluzion (pozitiv ose negativ) lidhur me zotërinjtë Alizoti dhe Xhafaj.

Kampioni “Agroni” është i një cilësie shumë të dobët. Arsyeja pse ekspertiza ishte në gjendje të arrinte në një konkluzion negativ për zotin Hyseni në lidhje me atë, lidhej me faktin se ai dhe “Agroni” kishin shumë dukshëm zëra të ndryshëm.

Ekspertes do i duhej një regjistrim i një cilësie më të mirë të të folurës së “Agronit” për të arritur në një konkluzion lidhur me zotërinjtë Alizoti dhe Xhafaj.

Kerkesa e prokurorisë
Gjashtë muaj pas publikimit të një përgjimi të bisedës së pretenduar mes Agron Xhafajt, vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Albert Veliut, Prokuroria për Krime të Rënda firmosi dje arrestin për të njohurin me nofkën ‘Babale’.

Ndaj Veliut, që u identifikua në krye të herës edhe si “dëshmitari X”, rëndojnë dyshimet për akuzat e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim dhe kalimit të paligjshëm të kufirit, pasi pas publikimit të audiopërgjimit, ai u largua nga Shqipëria në Kosovë përmes kufirit të gjelbër.

‘Babale’ ndodhet në Kosovë dhe urdhri pritet të ekzekutohet nga autoritetet atje. Në pranga është vënë edhe kunati i ‘Babales’, Fred Alizoti nga Fieri, pasi ka dyshime se imitoi zërin e Agron Xhafajt gjatë bisedës me Veliun. Për gazetarin Jetmir Olldashi, që realizoi intervistën me “Babalen”, është caktuar nga gjykata masa e arrestit me burg.

Publikimi i audiopërgjimit, trazoi politikën shqiptare dhe jo vetëm, pasi pretendohej se vëllai i Ministrit të Brendshëm, dyshohej për përfshirje në pazare droge.

Audiopërgjimi u dërgua për ekspertizë në Romë, e kur autoritetet italiane refuzuan ekspertizën u përcoll për në Britaninë e Madhe. Autoritetet e huaja sollën pak ditë më parë ekspertizën, nga e cila rezultoi se ishte një material i montuar por nuk jepte mundësi për të identifikuar zërat e personave që bisedonin më njeri tjetrin.

Pas administrimit të ekspertizës, Prokuroria thirri në pyetje, deputetin demokrat Ervin Salinji. Prokuroria konfirmoi se vijon ende hetimet për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë cështje.