Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë ka paditur sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda tre persona pas daljes së regjistrimit të Fredi Alizotit, i cili sipas prokurorisë ishte imitues i Agron Xhafajt.
Balla ka paditur sot kreun e PD-së Lulzim Bashën, deputetin demokrat Ervin Salianji si dhe Florenc Hoxhën, personin që ka regjistruar videon.
Padia është depozituar sot tek Krimet e Rënda dhe deputeti socialist akuzon tre persona për “shpifje” dhe “kallëzim të rremë”.
Në videon e Alizotit ai deklaron se është marrë në makinë nga drejtori i policisë Ardi Veliu dhe është takuar me Ballën para prokurorisë ku më pas do të bënte deponimin se ishte ai personi që kishte imituar Agron Xhafajn. Këtë akuzë si Veliu ashtu dhe Balla e kanë mohuar kategorikisht. Madje të dy kanë deklaruar se nuk janë takuar asnjëherë me Fredi Alizotin. Balla më pas nxori emra të tjerë, si përfaqësues të PD-së që sipas tij kanë bërë videon.