MENU
klinika

Premier League, java 10

Bind Chelsea, Arsenal ndalet pas 11 fitoreve

28.10.2018 - 16:36

Chelsea ka bindur edhe në transfertën e radhës ndaj Burnley, duke fituar pastër 4-0 dhe marrë vendin e dytë, 2 pikë pas Liverpool kryesues. Ndërsa Arsenal, ndonëse ka përmbysur shifrat në pjesën e dytë, është ndalur në fund 2-2 në fushën e Crystal Palace.

Chelsea nuk e ka ndjerë mungesën e Eden Hazard. Ai që i ka zëvendësuar magjistarin belg ka qenë pikërisht Ross Barkley, i cili me një gol dhe dy asiste ka ndihmuar Blutë drejt fitores së shtatë në Premier League.

Miqtë e gjetën golin e parë në minutën e 22’ falë sulmuesit spanjoll Alvaro Morata. Më në fund ish-lojtari i Real Madrid ka shpërblyer Sarri-n për besimin e treguar. Pas pushimit erdhi dominimi total ndaj një Burnley që nuk tentoi thuajse fare të luftonte për fitoren.

Në minutën e 57’ Barkley shënon një gol që do të konkurrojë me atë të Granit Xhakës për golin e javës. Pesë minuta më pas erdhi goli i nokautit i shënuar nga Willian. Në fund ishte edhe Loftus-Cheek ai shënoi golin e katërt për Chelsea-n.

Ndërsa Crystal Palace i ka dhënë fund ecurisë me 11 fitore radhazi të Arsenal teksa ka barazuar në fund me ndeshjen që përfundoi 2-2. Ishte një sfidë fantastike e cila i kishte të gjitha dhe padyshim që Xhaka ishte protagonist me golin dhe faullin e shkaktuar në penalltinë e dytë të vendasve. Me këtë barazim Arsenal shkon në vendin e tij të preferuar, të katërtin.

Granit Xhaka me një gol të mrekullueshëm ka barazuar rezultatin në minutën e 51’. Ai lëshoi një predhë të vërtetë nga një pozicion i pjerrët duke treguar se është një mjeshtër i goditjeve standarde.

Vetëm pesë minuta më pas Aubameyang përmbys rezultatin pas një topi të dukshëm me dorë të Lacazette brenda zonës. Por një tjetër penallti e Milivojevic ka barazuar rezultatin në Selhurst Park.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN