Duket se kampionati italian është rihapur në javën e nëntë. Napoli ka bindur në Udine, në një transfertë jo shumë të lehtë për të besuarit e Ancelotti-t, që fitojnë 3-0 në transfertë dhe i afohen tashmë me 4 pikë Juventus-it kryesues.
Ishte minuta e 14-të, kur pas një presingu të vazhdueshëm të miqve, Ruiz rikuperon një top, gjuan në hyrje të zonë, me topin që pushon në rrjetë, duke gjetur një trajektore dhe një kënd të pamundur për t’u kapur nga portieri vendas.
Edhe pas golit Napoli nuk është se e ndali ritmin dhe mund të kishte shënuar të paktën edhe 2 gola në pjesën e parë. I njëjti skenar edhe në pjesën e dytë, me Udinese-n, që edhe në fushën e vet, më shumë mbrohej se sa sulmonte.
Për të ardhur në minutën e 82-të, kur Mertens con shifrat në 2-0 pas gjuajtjes së saktë të penalltisë së fituar. Pa kaluar as 3 minuta, Napoli gjen edhe golin e tretë me anë të Rog, duke kapitulluar Udinesen, që dorëzohet pa kushte në shtëpi.