Janë 23 lojtarë për tri ndeshje zyrtare të eleminatoreve të Europianit për moshën U-19, grup i cili do të luajë takimet e tij zyrtare në Shqipëri, përkatësisht në Durrës dhe në Kamëz.
Trajneri i skuadrës përfaqësuese U-19 të futbollit, Erjon Bogdani doli sot përpara mediave për objektivat e skuadrës së tij, në një kohë që iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve. Për faqen zyrtare të FSHF-së, në ëeb, trajneri Bogdani për këtë turne theksoi:
“Tashmë kemi hyrë në fazën e ndeshjeve zyrtare, për të tentuar pse jo kualifikimin në grup. Luajmë në vendin tonë dhe mundësitë janë që skuadra të arrijë objektivin maksimal.
Gjatë këtyre ditëve do të punojmë shumë fort, duke qenë shumë të përqëndruar te sfidat që kemi. Njohim forcën dhe peshën e rivalëve, por kam besim te skuadra dhe reagimi i saj në fushë, tashmë kur përballë kemi ndeshjet zyrtare dhe për të cilën kemi punuar gjatë gjithë vitit me djemtë.
Kam bindjen që do të bëjmë shumë në ndeshjet e këtij turneu, por që nga dita e sotme do të nisim punën dhe përgatitjen intensive, duke qënë të fokusuar maksimalisht te sfidat që na presin”,- theksoi tekniku Bogdani.
Që nga dita e sotme ekipi do të jetë i grumbulluar në resort “Tropikal” në Durrës ku do t’u nënshtrohet edhe seancave stërvitore të përditshme. Nga lista prej 23 futbollistësh, 14 lojtarë të skuadrës U-19 vijnë nga kampionatet e huaja dhe 9 futbollistë janë përzgjedhur nga kampionati shqiptar i kësaj moshe.
Shqipëria do të luajë tre ndeshje eleminatore sipas këtij program: Përkatësisht në datën 10 tetor kundër Ukrainës, në 13 tetor me Sllovakinë, dhe në datë 16 tetor kundër Norvegjisë. Ndeshjet e këtij grupi luhen në stadiumet e Kamzës dhe të Durrësit, dhe hyrja për të gjithë tifozët do të jetë falas.