MENU
klinika

Nga New York Times

Ç’do të ndodhë me Maqedoninë e ‘gjorë’?

01.10.2018 - 09:36

Rezultatet e referendumit të Maqedonisë të dielën për ndryshimin e emrit të vendit ishin jashtëzakonisht të paqarta megjithëse i gjithë procesi nuk ka përfunduar ende. Të dyja palët kërkojnë fitore.

Referendumi shtroi pyetjen nëse qytetarët maqedonas do ta emërtonin vendin “Maqedonia e Veriut”, në një përpjekje nga qeveria për t’i dhënë fund një konflikti të hidhur prej  tre dekadësh me fqinjin e saj Greqinë dhe për t’u bashkuar me NATO.

Greqia kundërshton fuqishëm  që  emri të qëndrojë ”Maqedoni”, sepse ata argumentojnë se nënkupton aspiratat territoriale kundër një rajoni verior të Greqisë me të njëjtin emër.

Nga ata që votuan, 91 për qind favorizuan ndryshimin e emrit, njoftoi komisioni i zgjedhjeve shtetërore, me 95 për qind të votave të numëruara.

Por vetëm 36.5 për qind e votuesve hynë në votime. Me pjesëmarrjen e ulët, marrja e mbështetjes së kërkuar nga parlamenti maqedonas mund të jetë e vështirë.

Opozita pretendon se referendumi dështoi.

“Ata që votuan kundër dhe ata që vendosën të bojkotojnë, tregojnë se shumica dërrmuese e njerëzve janë kundër kësaj marrëveshjeje dhe këta njerëz  janë ata që dërguan mesazhin më të fortë sot”, tha Hristijan Mickoski, lideri i partisë kryesore opozitare konservatore.

Opozita është kundër ndryshimit të emrit siç është propozuar deri tani, sepse argumenton se mund të sigurojë një marrëveshje më të mirë në negociatat me Greqinë.

“Vullneti i atyre që votuan, tani duhet të kthehet në veprim politik brenda Parlamentit,” tha kryeministri Zoran Zaev, i cili kryeson socialdemokratët qeverisës.

Për të miratuar ndryshimin e emrit, parlamenti maqedonas duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese. Zaev tha se nëse partitë e opozitës nuk i mbështesin ndryshimet kushtetuese, atëherë ai do të kërkonte “një mjet tjetër demokratik” , një thirrje për zgjedhje të parakohshme në nëntor, për të siguruar që ndryshimet do të bëheshin.

Marrëveshja ende kërkon mbështetjen e Parlamentit të Greqisë, i cili duhet të vendosë nëse do të heqë kundërshtimin e tij ndaj anëtarësimit të fqinjit në NATO.

Çështja e emrit ka polarizuar Maqedoninë dhe zyrtarët perëndimorë thonë se Rusia, që ka qenë për një kohë të gjatë kundër zgjerimit të NATO-s, i ka shfrytëzuar ato ndarje me fushatat e dezinformimit.

Në përgjigje, figura të shquara nga vendet perëndimore, përfshirë sekretarin amerikan të mbrojtjes, Jim Mattis, vizituan Maqedoninë në përpjekje për të bindur votuesit që të mbështesin ndryshimin e emrit.

Komisioneri i Bashkimit Evropian përgjegjës për negociatat për zgjerimin e bllokut, Johannes Hahn, shkroi në Twitter se rezultati tregoi “mbështetje të madhe” për ndryshimin e emrit dhe ” hapi rrugën e vendit për në Euroatlantik”.

“Tani pres që të gjithë udhëheqësit politikë ta respektojnë këtë vendim” shkroi ai.

Debati mbi emrin e vendit, i cili ka rrënjët e tij në shekullin e katërt gjatë kohës së Filipit II dhe të birit të tij Aleksandri i Madh, ka marrë një kuptim simbolik shumë më të madh se vetë emri.

Aleksandri ishte nga një kulturë helenistike, kështu që grekët argumentojnë se maqedonasit sllavo-folës nuk kanë të drejtë të kërkojnë trashëgiminë e tij dhe thonë gjithashtu se ndryshimi i emrit do të shuante aspiratat territoriale.

Në shkurt, ndërkohë që negociatat po tregonin shenja përparimi, dhjetëra mijëra grekë marshuan në Athinë, duke valëvitur flamuj dhe duke kënduar “Maqedonia është Greqia”.

Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se besojnë se Rusia dhe oligarkët e lidhur me Kremlin gjithashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e protestave.

Protestat në Maqedoni kanë qenë më të vogla.

Në qershor, pasi ministrat e jashtëm, grek dhe maqedonas nënshkruan një marrëveshje që përshkruante detajet, qindra maqedonas dolën në rrugët e Shkupit për të protestuar, protesta të cilat shumë shpejt u bënë të dhunshme.

Mosmarrëveshja ndoshta ilustrohet më së miri nga qindra statuja dhe monumente që theksojnë lavditë e Maqedonisë së lashtë, që u ndërtuan me miratimin e kryeministrit të atëhershëm Nikola Gruevski, para se ai të arrestohej.

Në shumicën e atyre projekteve ishte Aleksandri i Madh. Aeroporti mori emrin e tij. Dhe në qendër të qytetit është një statujë me një lartësi prej 92 metra, e njohur si “Luftëtari në kalë”.  Dhe ky është padyshim Aleksandri.

Por mosmarrëveshja e tanishme me të vërtetë i ka rrënjët në luftërat e shekullit të 20-të. Pas përfundimit të luftërave të para ballkanike në vitin 1913, Maqedonia u nda mes Greqisë, Serbisë dhe Bullgarisë. Pas Luftës së Dytë Botërore në Greqi shpërtheu Lufta civile dhe shumë maqedonas sllavo-folës u dëbuan nga territori.

Kur u formua Republika e Jugosllavisë, përfshinte një territor të quajtur “Maqedoni”, dhe kur Jugosllavia shpërtheu në 1991 pas Luftës Ballkanike, u krijua “Republika e Maqedonisë”. Ajo u njoh nga më shumë se 140 vende, përfshirë Kinën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Por jo nga Greqia. Athina kishte frikë se maqedonasit e dëbuar gjatë luftës civile do të kishin pretendime mbi tokën.

Kur Zaev u bë kryeministër në maj të vitit 2017, një nga hapat e tij të parë ishte afrimi me Greqinë. Ai anulloi projektet e ndërtimit të qeverisë së mëparshme, dhe ndryshoi emrin e aeroportit dhe autostradës.

Ai tha në një intervistë dy javë përpara votimit se “politika e jashtme krejtësisht e gabuar” e qeverisë së mëparshme e kishte lënë vendin të izoluar.

“Ky ishte kërcënimi më i madh për të ardhmen e vendit tonë,” tha ai. “Kjo duhej të ndryshohej dhe të korrigjohej. Arsyeja e dytë është se qytetarët dhe partitë politike më me ndikim kanë rënë dakord që anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe NATO janë prioritetet tona kryesore”.

Dhe kështu ishte formuluar edhe pyetja e referendumit për votuesit të dielën:

“A jeni pro anëtarësimit në NATO dhe BE, duke pranuar marrëveshjen ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Nga New York Times

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Vetëm në dy javë, si rebelët morën kontrollin e Sirisë!

Çfarë pritet të ndodhë pas rrëzimit të Assad

Pazaret Putin-Trump, ja çfarë luhet në prapaskenë

Rënia e Assadit, një teori e re po qarkullon në Kremlin

Pas Serbisë, Gjermania “i vë syrin” edhe Bosnjë-Hercegovinës

Minierat e litiumit mund të hapen në gjithë Ballkanin