Trajneri i përfaqësues së Kosovës, Bernard Challandes, ka publikuar listën me 23 lojtarët e grumbulluar për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Në mesin e futbollistëve të grumbulluar ka rikthime, ku në sy bie emri i Valon Berishës.
Ai kaloi një dëmtim, që e mbajti gjatë jashtë fushës së blertë, teksa këtë herë është grumbulluar me ekipin përfaqësues. Ndërkohë jashtë listës është lënë një tjetër emër i njohur i përfaqësues së Kosovës.
Ai është Bersant Celina, arsyet për mosgrumbullimin e të cilit ende nuk janë bërë të ditura. Sakaq, Kosova do të zhvillojë dy ndeshje, atë ndaj Maltës në Prishtinë më 11 tetor dhe tri ditë më pas do të luajë kundër Ishujve Faroe në transfertë.
Kosova ka 4 pikë në grupin e vet dhe ka shumë shanse për të zënë vendin e parë, cka do të ishte historike për ekipin e ri përfaqësues, që vetëm dy vjet më parë u anëtarua në FIFA dhe UEFA.