Barcelona mbetet me pikë të plota, teksa ka mposhtur Tottenham me rezultatin 4-2 në Wembley. Megjithëse po vuan në La Liga, ishte një tjetër Barça ndaj Spurs këtë mbrëmje me një Messi në formë që bëri diferencën.
Ishte Philippe Coutinho ai që zhbllokoi rezultatin që në minutën e 2’ pas pasimit të Jordi Alba. Mesfushori brazilian i jep qetësinë e nevojshme Barcelona-s në një fushë jo shumë të mirë për standardet e Champions League. Ndeshja pas golit ishte e luftuar dhe shumicën e kohës luhej në mesin e fushës.
Në minutën e 28’ perla e Rakitic i jep avantazhin e dyfishtë vizitorëve. Kroati ka lëshuar një predhë nga rreth 30 metra me topin që ka prekur shtyllën e majtë përpara se të shkonte në rrjetë. Goli i Rakitic zgjon vendasit që duan të kundërpërgjigjen me golin e Trippier, por arbitri e anulon për një top të prekur me dorë. Pas pushimit situata nuk ndryshon.
Barcelona mbetet dominuese dhe vetëm shtylla e shpëton Tottenham në fillim të pjesës së dytë. Harry Kane tregon klasin e tij nga hiçi në minutën e 52’ duke u dhënë shpresë vendasve me një gol fantastik.
Por Barça kundërpërgjigjet menjëherë me golin e Lionel Messi-t. Jordi Alba sërish vendimtar me një tjetër asist të artë. Por Tottenham nuk dorëzohet dhe Lamela ngushton përsëri rezultatin me një gol me shumë fat.
Gjithsesi Barcelona ka eksperiencën e duhur për ta përballuar presionin e Tottenham dhe shënon Messi shënon golin që vulosi fitoren në fund të takimit. Barça mbetet në krye të grupit B.
Megjithëse ishin italianët ata që po tentonin më tepër për të gjetur golin e avantazhit, ata befasohen nga goditja fantastike nga distanca e Rosario-s në minutën e 27’. Inter reagon me karakter dhe gjen golin e avantazhit në minutën e 44’ me Radja Nainggolan, i cili ishte një nga më të mirët në fushë. Pas pushimit ishte Mauro Icardi që kaloi të tijtë në avantazh pas një gabimi të portierit vendas.
PSV kërkon të shmangë humbjen me çdo kusht dhe shtyhet përpara duke krijuar disa mundësi të mira por që neutralizohen nga Handanovic. Inter ka hapësira për kundërsulme por nuk tregohet i mprehtë në disa raste. Të besuarit e Spalletti-t ruajnë avantazhin dhe marrin në shtëpi tri pikë të arta. Inter mbetet me pikë të plota në Grupin B.