Ngjarjes së ndodhur në Bularat ditën e djeshme ku u ekzekutua një ekstremist grek i kanë dhënë mjaft rëndësi edhe gazetat greke që qarkulluan ditën e hënë.
Shumica dërrmuese e tyre e ka lidhur vrasjen e Konstantinos Katsifas me atë që e quajnë “ngritje e flamurit grek”.
“E vranë shqiptarët pse ngriti flamurin bardh e blu”, “Vritet nga policia homogjeni që ngriti një flamur grek”, “U ekzekutua pse ngriti flamurin grek” – këto janë disa nga titujt.
Vetëm gazeta e majtë, “Efimerida ton Syntakton”, e vendos çështjen në një pistë krejt të ndryshme.
Nën titullin “Një vrasje me shumë pika të errëta”, gazeta thotë se “në rrethana të pasqaruara, Konstantinos Katsifas doli me kallashnikov në dorë nga shtëpia e tij në Buklarat dhe qëlloi kundër një makine të policisë.
Pastaj u largua në drejtim të një mali. Pas një përndjekjeje dhe shkëmbimi zjarri, mbeti i vrarë”.
Gazeta publikon dëshminë e historianit grek Antonis Liakos që ishte dje i pranishëm në ceremoninë e Bularatit.
Sipas tij, nuk pati asnjë incident me ngritje apo ulje të flamurit grek, nënvizon gazeta.
Në momentet e para pas ngjarjes pasditen e të dielës, mediat greke kaluan versionin se Katsifas ishte vrarë pasi qëlloi mbi policët që hoqën flamurin grek të cilin e kishte ngritur ai.
Por edhe policia greke konfirmoi mesditën e të hënës se “Nuk ka të dhëna dhe as dëshmi që të ndërlidhin përleshjen e armatosur në Shqipëri, gjatë së cilës ra i vdekur Konstantinos Katsifas, me ngritjen e flamurit grek”.