MENU
klinika

Deputeti sot në interpelancë

FSHF reagon ndaj deputetit Erjon Braçe

11.10.2018 - 17:18

Sot, në Kuvendin e Shqipërisë, është zhvilluar një interperlancë ndërmjet Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, dhe deputetit të PS-së, Erjon Braçe. Ky i fundit akuzoi Federatën Shqiptare të Futbollit se pranonte kontrata të dyfishta nga klubet dhe sigurimet e lojtarëve në shtet nuk janë me rrogat reale të tyre.

Nuk ka vonuar dhe FSHF i ka kthyer përgjigje zyrtare deputetit, por pa i përmendur emrin atij. Ja çfarë shkruan FSHF në portalin e vet zyrtar:

“FSHF si gjithmonë, ndjek me vemendje të posaçme, çdo zhvillim parlamentar dhe jashtë tij, që ka të bëjë me mirëfunksionimin dhe imazhin e saj. FSHF, ashtu sikurse edhe UEFA dhe FIFA, është veçanërisht sensitive, sidomos kur shikon tendenca nga ligjvënës, edhe pse të veçuar, që synojnë në thelb të cënojnë standartet ndërkombëtare të vendosura me kohë në këtë organizatë, dhe pavarësinë e saj nga politika.

erion-brace-konica.al

Sot, fatkeqësisht, si edhe disa herë të tjera, në mënyrë të përsëritur nga i njëjti deputet, por fatmirësisht për reputacionin e parlamentit shqiptar, i vetmi që në parlament sillet si tifoz i një ekipi, dhe në shkallët e stadiumit si ligjvënës, pamë jo vetëm gjuhë ofenduse, por edhe kërcënuese, që në subkoshiencë fshehin ëndrrën e vjetër të një segmenti të caktuar të politikës për të pushtuar me dhunë FSHF-në. 

FSHF jo vetëm garanton transparencën e saj përballë organizmave ndaj të cilave është e detyruar në bazë të rregullave t’i përgjigjet, por inkurajon gjithashtu punën e çdo institucioni shtetëror, apo qoftë dhe individi me pushtet, që në themel ka mirëfunksionim e kësaj organizate dhe jo ngritjen e ndonjë flamuri politik në ballkonet e saj.

Duke ritheksuar besimin tonë tek institucionet e shtetit, nënvizojmë edhe njëherë se mesazhet e dala nga zëra të veçuar të politikës që baltosin jo vetëm imazhin e FSHF-së, por edhe të UEFA-s, do të përcillen dhe ndahen me të gjithë partnerët tanë në FIFA dhe UEFA.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN