Ky lajm vjen pikërisht në ditën kur Kombëtarja shqiptare U-19 ka humbur edhe ndeshjen e tretë në grupe dhe për 2 vite rresht në eliminatore nuk merr dot 1 pikë, duke i mbyllur në fund të grupeve përkatëse.
Kristo Shehu është zyrtarisht një futbollist i Greqisë, pasi i është bashkuar përfaqësueses U19 për ndeshjet zyrtare të Europianit. Gjërat mund të kishin rrjedhur krejtësisht ndryshe, nëse Erjon Bogdani do të kishte vendosur të mos injoronte sulmuesin, i cili ka shkëlqyer me ekipet e moshave të Panathinaikos.
Kristo Shehu është prej kohësh në radarët e vëzhguesve të FSHF, të cilët e sinjalizuan që dy vite më parë dhe ai u grumbullua për disa ndeshje me U-17. Lojtari priste shansin e tij me përfaqësueset e moshave kuqezi, por ai nuk erdhi, as tani, kur nevoja për një sulmues me peshë te Kombëtarja U-19 ishte e dukshme.
Nuk dihen arsyet pse trajneri Erjon Bogdani nuk e mori në konsideratë të afronte lojtarin dhe ky i fundit vendosi të pranonte ftesën e Greqisë, që e ndiqte prej kohësh. Një vit më parë Bogdani nuk mori Ismet Sinanin e Milanit, i cili vendosi të përfaqësojë Kosovën.