Ecuria e mirë e Partizanit këtë sezon, teksa kryeson renditjen e Superiores pas 8 javësh kampionat, ka bërë që edhe tifozët të jenë entuziastë dhe mëtë organizuar se kurrë për ndeshjet në vijim.
Të kuqtë do të luajnë në “Selman Stërmasi” kësaj jave, ndaj Luftëtarit (të dielën, ora 17:00). Lojtarët dhe trajneri po e bëjnë më së miri punën e tyre në fushë, por në këtë lartësi kërkohet të jetë edhe “lojtari i 12-të”.
Tifo-grupi i njohur i 15 herë kampionëve të vendit, “Ultras Guerrils”, kanë lëshuar sot kushtrimin e radhës, duke kërkuar mbushjen e stadiumit, sepse kështu janë më të fortë:
“Partizani tashmë ka nevojë për masivitetin e tifozëve, stadiumi duhet të jetë i stërmbushur në çdo ndeshje, tribunat duhet të fillojnë të ngrihen peshë nga oshëtimat, ekipet kundërshtare të dridhen e të frikësohen nga uragani i kuq, që vjen nga egërsia tifozërike!
Për ta bërë këtë evojitet që gjithsecili të na bashkohet në çdo ndeshje, në çdo transfertë, në çdo moment, deri në fund. Dhe pas fundit, gati për t’ia nisur sërish!
Ne jemi Partizani!
Ne jemi legjenda!”