MENU
klinika

Korrespodenca

Himarjotët dhe Papa në luftën kundër osmanëve

03.10.2018 - 10:46

Shqiptarët e krahinës së Himarës janë dalluar gjithmonë për trimëri dhe besnikëri. Në të kundërt të këtyre dy vlerave ata, edhe kanë fituar edhe kanë humbur. Kanë bërë shumë aleanca me të parët e Spanjës, Napolit, Venedikut, Gjermanisë e deri te Papët e Vatikanët.

Të gjitha në mesjetë kanë qenë me një qëllim nga himarjotët. Çlirimin nga zgjedha e huaj, perandoria osmane. Një lidhje e tillë e fshehtë duhej të krijohej sipas himarjotëve në 1577 me Papën Grigor XIII. Cilët fshatra u organizuan dhe çfarë donin ata? Ja çfarë shkruhet në librin ‘’Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit 1506-1750):

Më 12 korrik 1577 pleqtë e Himarës i drejtuan një letër Papa Grigor XIII. Ajo nis me evokuimin e luftrave të shqiptarëve gjatë mbretit Skënderbej dhe vazhdonte me qëndresën disavjeçare të himarjotëve ndaj përpjekjeve për nënshtrimin e tyre.

Duke u ndalur në dëmet që u kishin sjellë luftrat me osmanët ata pranonin se nuk kishin më mundësi të luftonin kundër armikut dhe as të meremetonin shtëpinë e peshkopatës.

Ata bënin të ditur se letrën po e përcillnin me përfaqësuesit e tyre Gjikë Nikolla dhe Gjergj Katasi. Në kërkesën e tyre ata kërkonin të holla për të blerë armë dhe për të ndërtuar shtëpinë e peshkopatës. Dokumentet nuk na bëjnë të ditur përgjigjen e Papës, e cila nuk duhet të ketë ndryshime nga të tjerët.

Katërvjet më vonë (shkurt 1581) krerët e Himarës i dërgojnë një letër të dytë Papës, nga e cila mësohet se krerët e Himarës kanë biseduar me Dhimitër Ferigon, qytetar i Koronës, për të gjetur mënyra për t’u çliruar nga osmanët. Meqënëse himarjotët ishin besnikë të devotshëm të Karlit V, e kanë pritur shumë mirë.

Ai u bëri të ditur se Papa kishte vendosur themelimin e një kolegji greko-ortodoks. Himarjotët e falenderojnë për këtë ndihmë, por kërkojnë ndihmë ushtarake për të fituar lirinë e humur. Papa Grigori XIII duhej të ndërmjetësonte pranë mbretit të Spanjës, Filipit, që t’u dërgonte popullit shqiptar e atij grek nëpërmjet mbretërisë së Napolit një ndihmë prej 3000 burrash dhe armë për 10 000 luftëtarë.

Himarjotët nuk janë shumë të kënaqur me themelimin e një kolegji greko-ortodoks. Ata kërkojnë ndihma në njerëz dhe në municione. Për të bërë për vete Papën, deklarojnë se vetëm në More mund të mblidhen 200 000 vetë. Vetëm në Himarë brenda një natë mund të mblidhen 10 000 vetë, kurse nga e gjithë Maqedonia, d.m.th Shqipëria, 500 000 vetë.

Kuptohet se këto shifra janë teje realitetit, prandaj në vend që të ndikonin për mirë, bënin efektin e kundërt. Ata premtonin besnikëri ndaj koalicionit europian, me kusht që t’u lejohej ushtrimi i rritit ortodoks.

Megjithëse kërkonin të bashkoheshin me botën katolike, ata përsëri dëshironin të ruanin besimin ortodoks. Si përfaqësues ata kishin caktuar Johan Leksin, Zaknen dhe djalin e tij Nikola, nga të parët e Himarës, të matur dhe besnikë, të dalluar në luftën kundër osmanëve, të cilët do të paraqiteshin tek Papa, mbreti Filip apo tek perandori i Gjermanisë.

Ata ishin autorizuar të mblidhnin armë. Letra ishte nënshkruar nga dora e zyrtarit të qytetit Mikel Argiro.

Poshtë ishte Himara me fshatrat: Dukati, Brokoto, Kallarati, Trumazei, Sotira, Palasa, Vagalati, Dhërmiu, Heliates, Vuno, Kaperasi, Kudhësi, Piluri, Kuçi, Progonati, Lupezei, Kështjella, Nivica, Piqerasi, Burnec, Turnekei, Bubari, Oresta, Bafades, Terna, Zarokorica, Kamenica, Finiqi, Damisei, Lekli, Dragoti, Bernakus, Ceprista, Shënvasili, Zhulati.

Vula dhe firma e Mikel Argiro nga ishulli i Korfuzit.

Më 17 shkurt 1582, Papa Grigori XIII i jep përgjigje një letre të himarjotëve, ndoshta asaj të një viti më parë. Ai u drejtohet me fjalët ‘’Bijve të dashur, kuvendit dhe popullit të Himarës, si dhe vendeve të tjera të besëlidhura… bij të dashur’’.

Papa e pranon se, si princat e krishterë dhe himarjotët kanë të njëjtin vullnet, por ai pengohet shumë nga disa vështirësi dhe rreziqet e heretikëve, nga rebelët që u shkaktojnë ndasi të brendshme.

Sipas Papës, këta dy faktorë nuk i linin princat të bashkohen dhe të vinin në ndihmë të himarjotëve. Megjithatë, Papa i mban me shpresë se interesat e përbashkëta e kërkojnë bashkëpunimin midis tyre dhe në të ardhmen asgjë nuk do na ndalë.

Problemet e reformacionit mund të ishin një faktor i rëndësishëm që nuk i linte fuqitë katolike të bashkohen në luftën kundër shtetit Osman.

Për ne, mungonte dëshira e Papës për të organizuar një aksion të përbashkët fetar kundërosman.

Nga fundi i dhjetorit 1582, Papa Grigor XIII u ktheu përgjigje Aleks Protonotarit, pleqve të Himarës, popullit dhe Këshillit të Himarës.

Ai u bën të ditur se e ka marrë letrën e tyre paraqitur nga Nikolla Zakne, i cili ia ka parashtruar me hollësi çështjet. Pasi i përgëzon për gatishmërinë, Papa i nxit me fjalët që të qëndrojnë ‘’në gatishmëri të mirë’’ dhe u premton interesimin e tij.

Nga korrespodenca me Papën Grigor XIII bëhet e qartë se Papa përgëzonte gatishmërinë e himarjotëve, nga një anë, dhe nga ana tjetër, u kaliste durimin për të pritur ditë më të mira.

(shkëputur nga ”Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit 1506-1750”-Petrika Thëngjilli)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!