MENU
klinika

Volejboll Femra

Italia kalon në 1/2 finale të Botërorit

15.10.2018 - 18:43

Kampionati Botëror i Volejbollit për Femra, që po zhvillohet në Japoni, ka hyrë në fazën finale. Italia siguroi fitoren e 10 radhazi në edicionin e 18-të të Botërorit, teksa mundi 3-2 përfaqësuesen e vendit organizator në pesë sete, Japoninë, në një ndeshje që zgjati afërsisht dy orë e gjysmë.

Skuadra e Davide Mazzanti-t vazhdon të jetë e vetmja në botërorin japonez që nuk njeh humbje, por sidoqoftë ekipi nipon u bë i pari në këtë kompeticion që i shtrëngoi volejbollistet “azzurre” për të luajtur një set final.

Japonia, që përpara se të kualifikohej për në “final six” kishte humbur vetëm dy ndeshje gjithsej, edhe ato me shifrat 3-2 me Holandën dhe Brazilin, ishte e dënuar për të fituar patjetër takimin, për shkak të disfatës së thellë 3-0 që pësoi në ndeshjen hapëse të Grupit G me përfaqësuesen e Serbisë.

japoni itali volejboll
japoni itali volejboll

Në fund volejbollistet “azzurre” ia dolën mbanë për të mbyllur krejt takimin 25-20, 22-25, 25-21, 19-25 dhe 15-13 duke eliminuar në këtë mënyrë vendin organizator nga faza gjysmëfinale.

Me eliminimin e Japonisë u përcaktuan përfundimisht edhe katër skuadrat që do të vijojnë rrugën në “final four”. Holanda shkaktoi befasinë më të madhe të këtij Botërori, teksa përmbysi disavantazhin e dy seteve ndaj kampioneve në fuqi, duke lënë kështu jashtë këtij kompeticioni përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara.

Ditën e fundit priten me kuriozitet edhe dy ndeshjet përmbyllëse të kësaj faze, Itali – Serbi dhe Holandë – Kinë, sepse pavarësisht se bëhet fjalë për katër skuadra përfaqësuese të kualifikuara, përballjet ndërmjet tyre do të përcaktojnë edhe mënyrën se si do të kryqëzohen këto ekipe në vazhdim, në “final four”.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN