Superndeshja e mbrëmjes së martës mes Manchester United dhe Juventus, zhvilluar në “Old Trafford”, ka përfunduar 0-1 për kampionët e Italisë, të cilët kanë dominuar totalisht dhe jo më kot janë pretendentët kryesorë për të fituar Champions League këtë sezon.
GRUPI H
Ishte Dybala ai që shënoi golin e fitores në minutën 17-të të pjesës së parë, pas një sulmi nga krahu i djathtë. Juventus mund të kishte shënuar edhe 2-3 gola të tjerë në pjesën e parë, por De Gea ka shpëtuar portën e “Djajve të Kuq”.
Manchester United pak ka bërë për të merituar qoftë edhe një barazim, cka vë në dukje se ky ekip ka probleme dhe prandaj nuk është në vendet e para edhe në Premier League. Mourinho duhet të falenderojë Young Boys që ndali në barazim Valencian…
GRUPI E
Pas fitores 2-0 së Bayern Munchen në Athinë ndaj AEK, Ajax i dilte për detyrë të fitonte ndaj Benfica-s në shtëpi dhe gjigantët holandezë e kanë bërë këtë në limitin e ndeshjes, në kohën shtesë, kur Mazraoui ka shënuar. Një fitore që e mban Ajax në vend të parë, me 7 pikë, aq sa edhe Bayern.
GRUPI F
Manchester City është rikthyer te fitorja, madje bindëse, duke triumfuar në Ukrainë 3-0 ndaj Shakhtar Donetsk. Dy gola në pjesën e parë dhe një të dytën nga David Silva kanë qetësuar Guardiola-n.
Në sfidën tjetër të këtij grupi, Lyon ishte shumë pranë surprizës, teksa ka përmbysur shifrat në Gjermani ndaj Hoffenheim, por në fund sfida është mbyllur 3-3. Francezët më mirë po luajnë jashtë se sa brenda, por bien të dytët në grup.
GRUPI G
Real Madrid më në fund clirohet. Trajneri Lopetegui, të paktën deri të dielën kur luhet “El Clasico”, mund të qëndrojë i qetë. Los Blancos fituan 2-1 ndaj Plzen. Benzema në pjesën e parë dhe Marcelo në të dytën zgjidhën takimin, pavarësisht se cekët ngushtuan në 79’.
Në këtë grup, Roma nuk ka pasur probleme me CSKA e Moskës, teksa ka fituar 3-0. Dy herë Dzeko në pjesën e parë dhe turku Under në të dytën, bënë që rusët të kapitullojnë pa kushte në “Olimpico”. Dzeko kryeson së bashku me Messin me 5 gola secili në Champions League.