Kriza e brendshme politike shkon në Bruksel. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një postimi në twitter, apelon kryetarin e Partisë Demokratike Basha që të tërheqë urdhrin për rrëmujë që u ka dhënë deputetëve, që janë pjesë e delegacionit të Shqipërisë në mbledhjen e sotme të Parlamentit Europian.
Balla: Lulzim! Tërhiqe urdhërin për rrëmujë qe u ke dhënë deputetëve të tu në delegacionin e Shqipërisë sot në Parlamentin Europian. Mos e turpëro vendin tënd edhe hapur se pas kuintave “me anonime” e bën përditë. Të presim të dy me qetësi vendimet e gjykatës dhe prokurorisë!
Me 8 tetor, opozita kërkoi largimin Taulant Ballës nga Delegacioni Parlamentar i Stabilizim Asocimit, me akuzën se deputeti socialist shoqërohet me trafikantë droge dhe si i tillë nuk është i denjë për të përfaqësuar në PS.
Opozita e konsideron të papërshtatshëm dhe kundërproduktiv për interesat europiane të Shqipërisë që Taulant Balla të jetë pjesë e Delegacionit Parlamentar dhe bashkëkryesues i Komisionit të Përbashkët të Asociim Stabilizimit me Bashkimin Europian.
Në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, anëtarët e opozitës në Delegacion, Genc Pollo, Albana Vokshi, Klajda Gjosha, Jorida Tabaku, Aldo Bumçi dhe Oerd Bylykbashi kërkuan zëvendësimin e Ballës me një tjetër socialist, pa lidhje kriminale.
Anëtarët e opozitës argumentojnë se Shqipëria nuk mund të përfaqësohet në bisedimet me Brukselin në mbledhjen e 15 Tetorit me një politikan që ka pranuar publikisht se ka mik familjar një të dënuar të rrezikshëm për trafik ndërkombëtar droge, pasuria e te cilit është shumëfishuar pas miqësisë me Taulant Ballën.
Opozita vë në dukje se Taulant Balla nuk mund të përfaqësojë Kuvendin në marrëdhëniet me Parlamentin Europian, për shkak se mbi të rëndon akuza se ka marrë pjesë në kërcënimin me pistoletë në kokë të një oficeri policie, që ai të mbyllte çështjen e përdhunimit të djalit të një deputeti tjetër socialist.
Në kërkesën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, anëtarët e opozitës vënë në dukje se prania e Taulant Ballës në Delegacionin e Stabilizim Asociimit nuk është në përputhje me kërkesat kryesorë për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm “rivendosjen e besimit publik tek institucionet e shtetit dhe luftën pa kompromis ndaj kriminalitetit e korrupsionit, sidomos në postet publike”.
Taulant Balla është pjesë e delegacionit të Stabilizim Asocimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian që nga viti 2009, kur diskutohej paketa e liberalizmit të vizave për Shqipërinë nga ana e Parlamentit Evropian.