MENU
klinika

Arsyet e kthimit

Ligji për Teatrin/ Meta kthen sërish dekretin në Kuvend

11.10.2018 - 13:33

Presidenti Ilir Meta ka rikthyer sërish në Kuvend ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ky i fundit u miratua vetëm me votat e shumicës. Meta dekrektoi sot kthimin e ligjit.

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 37/2018, datë 20.09.2018

“Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar`”.

ligji-per-teatrin-konica.al
ligji-per-teatrin-konica.al

“Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në seancën plenare të datës 20 shtator 2018, me Vendimin nr. 96/2018, ka vendosur për: “Miratimin e dekretit nr. 10849, datë 27.07.2018, të Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr.37/2018 (të datës 05.07.2018) “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”. Në të njëjtën seancë plenare Kuvendi ka miratuar, gjithashtu, ligjin nr.37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar`”.

Me shkresën e Kuvendit nr. prot 2288/3 datë 24.09.2018, të dy këto akte i janë përcjellë Presidentit të Republikës duke i kërkuar shprehjen me dekret për shpalljen e ligjit nr.37/2018, datë 20.09.2018, si dhe njohjen me vendimin nr.96/2018 të Kuvendit, me të cilin është pranuar dekreti i Presidentit nr. 10849, datë 27.07.2018.

Pas vlerësimit dhe shqyrtimit të kësaj praktike parlamentare, Presidenti ka arritur në bindjen se, ligji nr. 37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, i paraqitur për dekretim është një ligj i ri, dhe për këtë arsye kërkesa e Kuvendit duhet të pranohet për shqyrtim nga Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave kushtetuese të parashikuara në nenet 84, 85 të saj.

 ilir-meta-teatri-konica.al

ilir-meta-teatri-konica.al

Në rastin konkret ndërmjet dy akteve të miratuara nga Kuvendi, ligjit me nr.37 të miratuar më datë 05 korrik 2018 dhe ligjit nr.37 të miratuar në datë 20.09.2018, megjithëse numri i ligjit ka qëndruar i njëjtë, konstatohen ndryshime, qoftë në parashikimet e qëllimit dhe objektit, por dhe në procedurat e mjetet e parashikuara në secilin prej tyre. Nga një vështrim krahasues i të dy normave ligjore të miratuara nga Kuvendi, rezulton se ka ndryshime, në titullin e ligjit, si dhe në shumë nene të tjera të tij. Një ligj përveç elementëve identifikues të tij si numri, data, titulli, parashikon në përmbajtjen e tij objektin, qëllimin, procedurat dhe mjetet për zbatimin e tij.

Ligji nr.37/2018 (dt 05.07.2018), kishte për objekt dhe qëllim përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt realizimin e projektit për zhvillimin e një zone urbane në qytetin e Tiranës, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, pa procedura konkurimi, me një partner privat të përzgjedhur drejtpërdrejtë me ligj (shoqërinë Fusha shp.k), ndërsa ligji i ri nr.37/2018 (dt 20.09.2018), parashikon dhe procesin e vlerësimit të çdo propozimi që mund të paraqitet nga palët private, si rezultat i zbatimit të procedurës së konkurimit. Pra praktikisht jemi përpara një ligj të ri, i cili përcakton mjete dhe procedura të reja për realizimin e objektit dhe qëllimit të tij.

Këto gjetje, besojmë se kanë qenë dhe arsyet që kanë bindur Kuvendin që me shkresën nr. prot 2288/3 datë 24.09.2018, të kërkojë sërish shprehjen e vullnetit të Presidentit për dekretimin dhe shpalljen e ligjit të ri të miratuar më datë 20.09.2018.

teatri-kombetar-konica.al
teatri-kombetar-konica.al

Në shqyrtim të kërkesës së Kuvendit, Presidenti i Republikës, në mbështetje të neneve 84 e 85 të Kushtetutës vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji të ri në raport me Kushtetutën e vendit, interesin publik, ruajtjen e vlerave historike të trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar, krahasuar dhe në raport edhe me arsyet e dhëna nga Presidenti i Republikës në dekretin nr. 10 849, datë 27.07.2018 dhe të pranuara nga Kuvendi.

Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018, të miratuar nga Kuvendi më datë 20.09.2018, Presidenti i Republikës, ka arritur në konkluzionin se, ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi.

Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje.

Ligji i ri nr. 37, dt 20.09.2018, paraqet sërish probleme kushtetuese, pasi edhe pse në pamje të parë ai duket sikur ka zgjidhur problematikën e konstatuar, në thelb dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë.

Këto konstatime e bëjnë këtë ligj të bjerë sërish ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar funksionimin e vet shtetit të së drejtës.
Në këtë mënyrë në tërësi ligji i ri nr.37, datë 20.09.2018, paraqet të njëjtat probleme kushtetuese të evidentuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij, duke e bërë atë të padekretueshëm për shpallje.

rama-teatri-kombetar-konica.al
rama-teatri-kombetar-konica.al

1. Së pari, veprimtaria parlamentare e zhvilluar për miratimin e ligjit të ri nr.37, datë 20.09.2018, ka shmangur sërish zbatimin e parimeve kushtetuese. Kuvendi nuk ka shqyrtuar 8 (tetë) nga 9 arsyet e dhëna nga Presidenti i Republikës në dekretin nr. 10 849, dt 27.07.2018, duke shmagur kështu zgjidhjen e çështjes dhe duke krijuar sërish një normë të re ligjore antikushtetuese.

Presidenti i Republikës, pas vlerësimit të ligjit nr.37/2018 (datë 05.07.2018), konstatoi se ky ligj ishte në kundërshtim me; parimet dhe dispozitat kushtetuese; aktet ndërkombëtare që Republika e Shqipërisë ka ratifikuar; gjithashtu fryma e këtij ligji shkonte në kundërshtim me sistemin ligjor aktual, mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare.

Bazuar në këto konstatime Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 85 pika 1, dhe 93 të Kushtetutës me dekretin nr.10 849, datë 27.07.2018, vendosi; “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar`”, duke e shoqëruar këtë dekret me një raport shterues të arsyeve mbi të cilat u mbështet kjo vendimarrje e Presidentit. Arsyet mbi të cilat Presidenti i Republikës, e ktheu për rishqyrtim ligjin nr.37/2018, po i citojmë në mënyrë të përmbledhur si më poshtë:

1. Ligji shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta;
2. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre;
3. Ligji nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018) bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim;
4. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht, edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
5. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë;
6. Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik;
7. Ligji nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
8. Miratimi i ligjit nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë;
9. Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 (dt.05.07.2018) “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

teatri-kombetar_konica.al
teatri-kombetar_konica.al

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare, rezulton se Kuvendi nuk ka argumentuar ndonjë pretendim kundër dekretit të Presidentit, si dhe nuk ka rrëzuar asnjë prej arsyeve të mësipërme, por në seancën plenare të datës 20 shtator 2018, me Vendim nr. 96/2018”, ka vendosur për: “Miratimin e dekretit nr.10849, datë 27.07.2018, të Presidentit të Republikës `Për kthimin e ligjit nr.37/2018 (të datës 05.07.2018) `Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar`”.

Në të njëjtën seancë plenare Kuvendi ka miratuar, një ligj të ri, i cili është numërtuar sërish me nr.37, por me datë 20.09.2018 dhe me titull “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar`”, duke pretenduar se tashmë me këtë ligj të ri gjejnë zgjidhje çështjet e ngritura nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij.

Në përfundim të shqyrtimit të këtyre dispozitave të reja rezulton se, Kuvendi i Shqipërisë me ligjin e ri nr. 37/2018, datë 20.09.2018, nuk ka trajtuar dhe vlerësuar 8 (tetë) nga 9 (nëntë) arsyet dhe konstatimet e Presidentit të Republikës. Në thelb ky ligj i ri nuk ka arritur të zgjidhë asnjë prej çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara nga Presidenti në dekretin nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi.

teatri-i-ri-plani-konica.al
teatri-i-ri-plani-konica.al

Praktika e shqyrtimit parlamentar të këtij ligji të ri, evidenton faktin se Kuvendi nuk ka kryer ndonjë studim, shqyrtim apo vlerësim krahasues dhe të thelluar midis, dispozitave të reja ligjore që po shqyrtonte për miratim, me arsyet e dekretit të Presidentit nr. 10849, datë 27.7.2018, që tashmë po vetë Kuvendi kishte votuar për pranimin e tij.

Në këtë mënyrë rezulton se, veprimtaria e Kuvendit, është e pambështetur në ndonjë vlerësim tekniko-ligjor, për çështjet e ngritura nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij.

Kuvendi ka votuar sërish një projekt të ri ligjor, të pajustifikuar dhe që në realitet nuk ofron asnjë zgjidhje për problematikat kushtetuese të konstatuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij.

Kuvendi, me miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës, ka pranuar të gjitha arsyet që e shoqërojnë atë. Në këto kushte, do të duhej që Kuvendi ta rishqyrtonte në themel çdo çështje në mënyrë që, të gjitha konstatimet e Presidentit të gjenin zgjidhje kushtetuese, në funksion të interesit publik.

Vendimmarrja e Kuvendit, ka shmangur shqyrtimin e 8 (tetë) prej çështjeve të ngritura në dekretin e Presidentit, me qëllim miratimin e një norme të re ligjore, e cila në thelb paraqet të njëjtat problematika kushtetuese si ligji i mëparshëm.

teatri_kombetar-konica.al
teatri_kombetar-konica.al

2. Së dyti, edhe ligji i ri nr.37/2018, datë 20.09.2018, sërish nuk garanton zbatimin e parimeve të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

Edhe pse kjo është e vetmja çështje e shqyrtuar nga Kuvendi, sërish parashikimet e reja ligjore nuk e kanë zgjidhur situatën antikushtetuese të konstatuar nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij të mëparshëm.

Kuvendi në ligjin e miratuar në 5 korrik 2018 kishte përcaktuar një trajtim preferencial të kompaninë private “Fusha” sh.p.k, ku kërkesa për shprehje interesi, e paraqitur nga kjo kompani, ishte vlerësuar “a priori” si propozimi më i mirë, duke bërë kështu dhe pranimin automatik të faktit të kryer, pa asnjë procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente.

Pikërisht shkelja e parimeve kushtetuese të barazisë përpara ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve, ishte një nga arsyet, por jo e vetmja, që Presidenti i Republikës, me dekretin nr.10 849, datë 27.07.2018, vendosi ta kthente ligjin për rishqyrtim në Kuvend.

teatri_kombetar-konica.al
teatri_kombetar-konica.al

Kuvendi me ligjin e ri të paraqitur për shpallje është përpjekur të përcaktojë se për realizimin e këtij projekti, do të kemi tashmë një garë të hapur ku do të mund të përzgjidhet personi fizik apo juridik, me të cilin shteti do të negociojë për nënshkrimin e një kontrate bashkëpunimi. Konkretisht në nenin 3, pika 4, 5, 11 të ligjit parashikohet: “4.“Palë private” është çdo subjekt privat që paraqet një propozim për zhvillimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë̈ projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. 5.“Palë private e përzgjedhur” është pala private, propozimi i së cilës ka rezultuar në përputhje me kërkesat e këtij ligji, më i favorshmi në raport të interesit publik, si dhe është klasifikuar e para nga komisioni. 11.“Thirrje e hapur” është ftesa e hartuar nga komisioni për palët private që janë të interesuara për të paraqitur një propozim për realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë̈ projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, sipaskushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë ligj.

Në pamje të parë, duket sikur tashmë do të kemi një procedurë konkurrimi të lirë dhe që respekton kërkesat kushtetuese për veprimtari të lirë ekonomike dhe trajtim të barabartë, por nëse shqyrtojmë dispozitat e mëtejshme ku përcaktohen kërkesat, mjetet dhe kriteret sesi kjo garë realizohet, arrijmë në konkluzionin logjik se sërish edhe kjo normë ligjore paraqet elementë që cenojnë drejtpërdrejt konkurrencën e lirë, trajtimin e barabartë dhe nuk garanton që procesi do të jetë objektiv dhe i ndershëm.

Konkretisht në pikën 3, të nenit 6, të ligjit parashikohet se: “3. Me marrjen e propozimeve, komisioni verifikon paraprakisht statusin e të gjitha pronave mbi të cilat do të zhvillohet projekti, sipas përcaktimeve të pikës 4, të nenit 3, të këtij ligji. Komisioni verifikon dhe marrëveshjet e arritura dhe të nënshkruara me pronarët privatë që posedojnë pasuritë në zonën e zhvillimit të projektit.”

Pikërisht ky parashikim, përcakton se çdo palë private që dëshiron të marrë pjesë në konkurrim duhet që propozimin e tij për zhvillimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duhet ta shoqërojë dhe me marrëveshjet që duhet të ketë arritur, me pronarët e pasurive private që ndodhen në zonën objekt zhvillimi dhe që përfshihen në këtë projekt. Pra në thelb vendosja e këtij parashikimi ligjor përbën një kusht parakualifikues për të marrë pjesë në garë, duke e bërë kështu një proces selektiv konkurrimi. Për këtë është me rëndësi të evidentohet se:

Është fakt që, Kuvendi i Shqipërisë, me propozimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe më pas të qeverisë, u investua me procedurë të përshpejtuar në shqyrtimin e propozimit dhe miratimin e ligjit nr. 37, datë 05.07.2018, duke përzgjedhur me ligj bashkëpunimin me shoqërinë propozuese “Fusha” sh.p.k, si një nga pronarët e pasurive prone private në këtë zonë.

votim-teatri-konica.al
votim-teatri-konica.al

Gjithashtu është fakt i bërë publik, që në zonën e përcaktuar për realizimin e këtij projekti ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, shoqëria propozuese “Fusha” sh.p.k. ka në pronësi pasuri të paluajtshme truall dhe ndërtesa.

Në këtë situatë faktike, ku shoqëria “Fusha”, shpk, rezulton pronare në zonën objekt zhvillimi, vendosja e këtij kushti nëpërmjet ligjit dhe mosparashikimi në ligj i rolit të shtetit si garant për një proces të hapur dhe transparent konkurimi, sjell si rezultat të vetëm realizimin e një procesi selektiv konkurimi në kushte aspak të barabarta.

Kjo sepse ligji i ri në fakt parashikon se çdo subjekt që dëshiron të konkurojë, është i detyruar që të lidhë, apo të ketë lidhur marrëveshje me pronarët e truallit, ku një prej tyre rezulton të jetë propozuesi i parë i këtij projekti, me të cilin Kuvendi me procedurë të përshpejtuar kishte përcaktuar për të bashkëpunuar me të, me trajtim preferencial nëpërmjet një ligji të veçantë, tashmë të rrëzuar.

Kuvendi nuk ka parashikuar asnjë zgjidhje për rolin garantues të shtetit në kushtet kur të drejtat e pronësisë private të një, apo disa pronarëve mund të diktojnë pjesëmarrjen në konkurim.

Konkretisht nuk është parashikuar në ligj, zgjidhja e një situate ku një palë private paraqet një propozim, shumë herë më të lartë për nga interesi ekonomik për shtetin dhe interesin publik, por nuk ka mundur të realizojë plotësisht apo pjesërisht marrëveshje bashkëpunimi me pronarët privatë të pasurive të paluajtshme që ndodhen në këtë zonë objekt zhvillimi.

Në këtë mënyrë edhe kjo normë e re ligjore me kriteret e vendosura dhe me paqartësinë e saj, nuk e ka zgjidhur problemin kushtetues që ekzistonte në lidhje me këtë çështje, pasi sërish nëpërmjet kritereve të tilla vlerësuese të vendosura në ligj, kufizohet pjesëmarrja në konkurim, duke bërë të mundur kështu që në praktikë të ekzistojë trajtimi preferencial dhe i favorizuar i një ose disa subjekteve të caktuar, gjë e cila sjell si rezultat paracaktimin e fituesit në këtë proces.

Për rrjedhojë, arrihet në bindjen se edhe kjo procedurë e re ligjore krijon pabarazi dhe cenim të veprimtarisë së lirë ekonomike dhe barazisë përpara ligjit.

Në këtë mënyrë edhe kjo normë e re ligjore nuk mund të dekretohet me shpallje nga Presidenti i Republikës.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Referuar gjithë sa u parashtrua më sipër, duke vlerësuar me shqetësim situatën e krijuar dhe në kushtet kur;

– Kuvendi ka miratuar një ligj të ri nr. 37, datë 20.09.2018, i cili në thelb paraqet të njëjtat problematika kushtetuese dhe nuk ka reflektuar dhe korrigjuar problematikat e konstatuar në ligjin e mëparshëm;

– Dekreti i Presidenti nr.10849, datë 27.07.2018, është miratuar nga Kuvendi dhe nuk e ka humbur kështu fuqinë e tij;

– Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, nuk është funksionale për tu shprehur përfundimisht mbi këtë çështje;

– Si dhe në respekt të parimeve kushtetuese që garantojnë identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore, me vullnetin që interesi publik të mos cenohet nga tjetërsimi jo objektiv i pasurisë publike, si dhe për të garantuar që rendi juridik i normave të legjislacionit shqiptar është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë;

Presidenti i Republikës, në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në nenin 84 dhe 85 pika 1 të saj, ka vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit të ri nr.37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar`”, pasi të gjitha argumentet që shoqëronin dekretin e Presidentit nr. 10849, datë 27.07.2018, nuk janë shqyrtuar objektivisht nga Kuvendi, dhe konstatimet në lidhje me pozitën antikushtetuese të këtij ligji ngelen sërish të njëjta, si në ligjin e mëparshëm.

7-kulla-teatri-konica.al
7-kulla-teatri-konica.al

Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 85 pika 1, 86 pika 1, 92/a, 93, të Kushtetutës, i përcjellë Kuvendit rekomandimin që kjo çështje duhet të marrë kohën dhe vëmendjen e duhur, në mënyrë që ligji nr.37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar ‘”, të rishqyrtohet, bazuar në argumentat mësipërme dhe atyre të dhëna në dekretin nr. 10849, datë 27.07.2018, që paraqiten, si më poshtë :

1. Ligji shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta;
2. Ligji nr.37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre;
3. Ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim;
4. Ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht, edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
5. Ligji nr.37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë;
6. Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018, nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik;
7. Ligji nr. 37/2018, nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
8. Miratimi i ligjit nr. 37/2018, nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë;
9. Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Me respekt

Ilir META

Kush janë zyrtarët e tjerë që iu bashkuan presidentëve

Joe Biden dhe Donald Trump dy orë takim kokë më kokë

Komisionin Rregullator s’e bind drafti “Celibashi”

Rregullat e votës së diasporës/ 5 posta ofrojnë shërbim ndërkombëtar

“Gjykata ka hyrë në një territor që s’i takon”

Peleshi: Dënimi i deputetëve është i drejtë, por…

Një shaka e neveritshme mund t’i kushtojë shtrenjtë Trumpit

“Surpriza e tetorit” mund të përmbysë zgjedhjet në SHBA