Pas vendimit të qeverisë për mbylljen e kazinove dhe basteve sportive në zonat e banuar në fund të këtij viti, ka reaguar dhe Komuniteti Mysliman i Shqiptarëve, duke theksuar se ky është një lajm i mirë për mbrojtjen e të rinjve nga rënia në kthetrat e këtyre veseve.
Deklarata e plotë:
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka mirëpritur vendimin e qeverisë për mbylljen e kazinove elektronike dhe basteve sportive në zonat e banuara.
Ky është një vendim i mirëpritur dhe i gëzueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe një masë e rëndësishme në mbrojtjen e të rinjve nga rënia në kthetrat e këtyre veseve që sjellin dëme të pariparueshme në familje dhe në shoqëri.
Duke parë rëndësinë e kësaj nisme, KMSH shpreson që instancat përkatëse do të veprojnë maturisht si për parandalimin e lojërave të fatit ashtu edhe të çdo fenomeni që është në dëm të qytetarëve.
Ne inkurajojmë dhe jemi përkrah çdo nisme, e cila i shërben shoqërisë shqiptare dhe që sjell zhvillim dhe mirëqenie në vendin tonë.
Gjithashtu, përkrahim dhe inkurajojmë qeverinë dhe instancat shtetërore në luftën pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, të cilat janë të ndërlidhura dhe cenojnë sigurinë dhe paqen sociale në vend.”