Kryeministri Benjamin Netanjahu ka anuluar vizitën që do të bënte më datë 1 nëntor në Shqipëri, pasi këtë të martë vdiq në Izrael Ministri i Shërbimeve Fetare David Azoulay.
Sipas mediave të huaja, 64-vjeçari vdiq pas një sëmundjeje që ai e kishte luftuar për shumë muaj me radhë. Ministri i Shërbimeve Fetare pritet të varroset në orën 23:00.
Mediat izraelite shkruanin pak kohë më parë se kryeministri Netanjahu do të vizitojë në nëntor “një vend me shumicë myslimane dhe me lidhje historike miqësore me Izraelin.”
Profili politik i David Azoulay
David Azoulay ka lindur në Meknes të Marokut më 1954-n. Ai emigroi së bashku me familjen e tij në Izrael në 1963-shin.
Ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Akrit nga viti 1978 deri në 1993, ndërsa në vitin 1996 u zgjodh në Knesset për herë të parë me partinë Shas.
Azoulay u caktua për të shërbyer si zëvendësministër i brendshëm prej vitit 2001 deri në 2003, ndërsa në postin si Ministër i Shërbimeve Fetare u vendos në vitin 2005. Në mars 2018, Azoulay dha dorëheqjen për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore.