MENU
klinika

Ndihmesë e jashtëzakonshme

Mehmed Konica/ Librat që i dhuroi Bibliotekës Kombëtare

14.10.2018 - 16:13

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (më tej BKSh), si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920.

Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe” vërtetë i vogël në numër, ndoshta tremijë copë, por me vlera të zgjedhura nga dijetarët e asaj kohe. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë.

Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Në momentin e përurimit si BKSh, 1922, ajo kishte rreth 6.000 vëllime. Drejtori i parë i arkivit të dijes ka qenë Mati Logoreci, gjuhëtar, historian dhe publicist, sfera e njohurive të të cilit ishte mbarëkombëtare.

Në atë kohë u bënë shumë përpjekje për të pasuruar bibliotekën me libra. Po të shqyrtosh dokumentacionin që ruhet sot në Arkivin Qendror Shtetëror do të kuptosh gjerësinë e kësaj veprimtarie.

Një i tillë, në mos privatisht, i këshilluar nga shteti i asaj kohe, ishte edhe Mehmed Konica.

Në atë kohë ai punonte në Legatën shqiptare në Londër me detyrën e ministrit, apo të ambasadorit. Në fillim të vitit 1923 ai mori një letër nga ministri i atëhershëm i arsimit, Rexhep Mitrovica, me anë të së cilës e njoftonte për themelimin e Bibliotekës Kombëtare dhe padyshim edhe për mundësinë e ndihmesës së tij për pasurimin e saj me libra.

Shkresa zyrtare nuk gjendet, por kërkesa për ndihmë kuptohet nga letra e përgjigjes, që Mehmed Konica i dërgoi ministrit të arsimit.

Ajo është shumë intresante dhe ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, me “koordinatat”: Fondi 195. Viti 1923. Dosja 87. Faqe 183.

Biblotheka kombëtare Me 2 Shkurt, 1923

Zoti Ministër.

Mos e quani se e vura më nj’anë letrën që më dërguat me 13 të Gushtit të vitit të kaluar, mi themelimin e bibliothekës kombëtare ose të Shtetit. Disa shkake më ndaluan për ca kohë të merrem me këtë punë. Ca ditë më parë bëra një thirrje me anë të gazetës The Times, po vetëm tri njerës më dërguan disa libra.

Si e pashë që nga këjo thirrje s’doli gjë, i shkrova një studenti në Universitet të Cambridge-it i cili me një-herë mblodhi nga miqt’ e tij 140 libra dhe m’i dërgoj. Ky student i quajtur Basil Atkinson, do të ju dërgoj për një mot rivistën “Discovery” muaj për muaj.

I thashë t’a adresojë në Ministri të Zotërisë suaj. Zoti Atkinson ka mësuar miaft gjuhën tonë dhe do të bëjë për s’afërmi një udhëtim në Shqipëri. Një tjatër miq më dërgoj nja tridhjet copë, ca të përdorura, ca fare të ra q’i bleu kastile për bibliothekën tonë.

Kam tani nja 200 libra, më të shumat libra të vlefshme, po jam i shtrënguar t’a qëndroj hëpërhë mbledhjen e librave nga shkaku që jemi ngushtë me këtë shtëpi dhe s’kemi vënd për librat, dhe që do të shkoj këto dit me leje. Kur të kthehem do të nis përsëri, dhe kam shpresë të mbledh nonjë mij copë dhe të ju a dërgoj të gjitha bashkë, me listën e librave dhe emrat e dhuronjësve.

A jini i kënaqur me një mij copë? Do të ju jem mirënjohës po të më shkruani sa libra kini mbledhur gjer tani për bibliothekën.

Pranoni, Zoti Ministër, të falat e mia me nder.

Firmosur: Mehmed Konitza

Ekselencës Tij

Z. R. Mitrovica

Ministr’ i Arësimit,

Basil Atkinso, studenti që kishte mësuar shqip dhe që tregohej kaq dashamirës për përparimin kulturor të vendit tonë dhe që do të vinte edhe në Shqipëri kishte lindur në vitin 1895 në Tonbridge, ku edhe mësoi në shkollën vendore.

Në vitin 1919 hyri në kolegjin e Magdalenës në Kembrixh. Faik Konica ishte informuar për këtë njeri, apo ia kishin rekomanduar si dashamirës ndaj dijes dhe i gatshëm për të ndihmuar.

Në universitetin e këtij qyteti ai ishte ndihmës bibliotekar dhe më vonë, por shumë më vonë, kujdestar, a ruajtës i dorëshkrimeve.

Gjatë jetës së tij, e deri sa vdiq në vitin 1971, u mor me studime fetare dhe gjuhësore. Mund të konsiderohet edhe si pionier i literaturës popullore evangjelike, të shkruar me një stil të thjeshtë.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët