Presidenti Ilir Meta, ka realizuar një takim ditën e sotme me Ministren Federale të Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, Karin Kneissl.
Në takimin me ministren Kneissl, Meta vlerësoi vëmendjen e mbështetjen e madhe që Austria, si mbajtëse e Presidencës së BE-së, po i jep integrimit evropian të Shqipërisë dhe çeljes në një periudhë sa më të afërt të negociatave të anëtarësimit.
Po ashtu Meta shprehu mirënjohjen e thellë për rolin dhe mbështetjen e Austrisë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që prej hedhjes së themeleve të shtetit modern shqiptar.
Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, Presidenti Meta, vlerësoi angazhimin e përbashkët në kuadër të Vitit Kulturor Austri-Shqipëri 2018.
Më tej Meta flet edhe lidhur me moton që sipas tij mesazhi i të cilës ka ndihmuar në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Motoja e këtij viti kulturor: “Të rizbulojmë të Përbashkëtat”; ka përcjellë një mesazh shumë të bukur dhe po ndihmon për ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të forta historike, miqësore e kulturore midis dy vendeve e dy popujve.”
Vëmendje të veçantë gjatë këtij takimi ju kushtua zhvillimeve më të fundit në rajon dhe të ardhmes së vendeve të tij në BE.