Pas dy fitoreve radhazi në Grupin F të Europa League dhe pas humbjes në derbi me Inter, Milan ka humbur sot në shtëpi me Betis, në një ndeshje që nuk ka lënë shenjë. Spanjollët kanë fituar 2-1 në “San Siro” dhe marrin kreun e grupit, ndërsa kuqezinjtë janë vetëm një pikë më poshtë.
Betis ka shënuar nga një gol për secilën pjesë loje. Donnarumma ishte lënë pushim, por edhe portieri tjetër ka bërë gafë në minutën e 30-të, teksa Sanabria ndëshkon vendasit. Lo Celso në minutën e 55-të dyfishon shifrat për miqtë.
Cutrone në minutën e 83-të ngushton shifrat në 1-2 dhe duket sikur hap ndeshjen, por vendasit janë të pafuqishëm që të paktën të gjejnë golin e barazimit, cka do të thoshte që Milan të mbante kreun e grupit. Ndeshja tjetër e këtij grupi përfundon 2-0 për Olympiacos ndaj Dudelange.
Arsenalit i ka mjaftuar një gol i Wellbeck në minutën e 77-të në Portugali ndaj Sporting Lisbona dhe londinezët marrin fitoren e tretë në grup, duke kryesuar grupin me pikë të plota, 9. Janë 10 fitore radhazi mes kampionatit dhe Europës, duke e bërë Arsenalin një ekip të frikshëm, pavarësisht se e nisi Premier League me dy humbje.
Në ndeshjet e tjera të orës 19:00 në Europa League, spikat barazimi 2-2 i Anderlecht ndaj Fenerbahce, fitorja me përmbysje e Dinamo Zagreb në Sllovaki, dominimi i Leipzig ndaj Celtic, si dhe spektakli i golave në sfidën Zurich-Leverkusen, ku pati dy herë përmbysje rezultati.