Një ndryshim tërësor jo vetëm i të jetuarit, por edhe i karrierës sportive. Një nga yjet e futbollit botëror, Arda Turan, dikur futbollist i Barcelonës, nuk po kalon një moment të mirë në jetën e tij dhe kjo nuk lidhet vetëm me futbollin.
Sikur të mos mjaftonte largimi nga Barcelona për te Basaksehir në Turqi, mesfushori po përballet me probleme edhe në jetën e përditshme. Mediet turke raportojnë se mesfushori ka pasur një sherr në një lokal nate me një nga këngëtarët më të njohur në vend.
Këngëtari Berkai ka rënë pre e një sulmi nga Turan dhe shkak për këtë, është bërë vetë mesfushori. Ai ka ngacmuar bashkëshorten e këngëtarit dhe, pas reagimit të Berkait, Turan e ka goditur me grusht duke i thyer hundën.
Sakaq, këngëtari është shoqëruar për në spital ku i është nënshtruar edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërkohë që Turan është penduar për veprimin e tij.
Sipas medieve turke, ai ka shkuar në spital për t’i kërkuar falje këngëtarit, madje raportohet se ka pasur edhe një pistoletë, të cilën ai ka dhënë Berkait, duke i thënë që ta vriste, gjë e cila është hedhur poshtë nga Turan.
Mesfushori me tipare sulmuesi pret që ditët në vijim të bëhet edhe baba, pasi bashkëshortja e tij është shtatzënë në muajt e fundit.