Ndeshjet e dyta në grupet e Champions League kanë dhuruar një nga surprizat më të mëdha, pasi Real Madrid, kampioni në fuqi, është mposhtur në Moskë nga CSKA. Ndonëse nuk është katastrofë, madrilenët nuk po gjejnë stabilitet kohët e fundit në rezultate, përfshi edhe kampionatin.
CSKA MOSKË – REAL MADRID 1-0
Kampionët e Europës janë shokuar që në minutën e dytë, kur Vlasic ka shënuar golin e avantazhit, që më pas do të rezultonte vendimtar, pasi me kaq do të vulosej fati i takimit, pavarësisht rasteve dhe episodeve të pafund të takimit.
Në fakt, më shumë ka qenë një gabim i Toni Kroos, që kthen një top prapa shumë keq, nga ku rusët shënojnë golin e fitores. Real Madrid u përpoq të paktën të mos dilte pa humbje, krijoi shumë raste në pjesën e dytë, por nuk ia doli.
ROMA – PLZEN 5-0
Një fitore e lehtë e Romës, duke e zgjidhur takimin që në pjesën e parë. Dzeko shënon 2 golat e avantazhit dhe qetëson skuadrën në 45 minutat e para, ndërsa në pjesën e dytë siguron suksesin falë golave të turkut Under dhe Kluivert, me këtë të fundit që thyen një rekord, bëhet holandezi më i ri që shënon në Champions. Dzeko shënon tripletën personale në limit.
BAYERN MUNCHEN – AJAX 1-1
Bayern Munchen ka ngecur edhe në Champions dhe tashmë duket se tani dicka nuk shkon me gjigantët gjermanë. U duk e lehtë për vendasit gjermanë, kur Hummels shënon në minutën e katërt. 1-0 dhe Bayern bën lojën e vet.
Por në mesin e pjesës së parë Ajax barazon dhe e mbron me fanatizëm këtë rezultat, pavarësisht përpjekjeve të pafundme të bavarezëve. Mbaron 1-1 dhe Ajax kryeson grupin falë golaverazhit më të mirë.
AEK – BENFICA 2-3
Ka qenë një sfidë spektakolare ajo e zhvilluar në Athinë, teksa miqtë portugezë udhëhoqën 2-0 për shumë kohë, por ndëshkohen me karton të kuq dhe mbesin me 10 vetë. Grekët arrijnë të barazojnë 2-2, por në fund fiton eksperienca, teksa Benfica shënon golin e tretë dhe hesht stadiumin.
MANCHESTER UNITED – VALENCIA 0-0
Vijojnë problemet për Manchester United, që në ndeshjen e shtëpisë nuk ka arritur të shkojë më shumë se një barazim pa gola ndaj rivalit në grup, pasi Juventus shihet më lart. Gjithsesi, “Djajtë e Kuq” kanë 4 pikë dhe për momentin janë të qetë.
LYON – SHAKHTAR DONETSK 2-2
Lyon, pas surprizës së bëri në Manchester, e mendua se do ta kishte më të lehtë ndaj ukrainasve, por miqtë kanë shënuar nga një gol për cdo pjesë dhe kanë udhëhequr 0-2 për 70 minuta, teksa francezët barazojnë në harkun e dy minutave. Një pikë që duket me vlerë për Lyon për nga mënyra se si shkoi ndeshja.