Para ndeshjes së nesërme miqësore me Jordaninë (ora 20:00, “Elbasan Arena”), trajneri i Kombëtares, Christian Panucci, ka dalë në konferencë shtypi bashkë me kapitenin Andi Lila, por edhe me një përkthyes, ndryshe nga herët e tjera, kur përkthimin e ka bërë Gerti Çarçani.
“Kemi disa lojtarë që duhet të kenë më shumë minuta, si Grezda, Mavraj, Gjimshiti, sepse në klubet e tyre kanë luajtur pak kohët e fundit. Grupi ka punuar mirë dhe ka shpirtin e duhur për të bërë një ndeshje të mirë, sepse është një ndeshje kombëtareje.
Jordania është zgjedhur duke parë renditjen e saj, një kundërshtar për të përgatitur ndeshjen me Izraelin në Ligën e Kombeve. Por kanë edhe një ngjashmëri mes tyre. Është një skuadër teknike.
Deklarata e Gegës? Po shohim shumë lojtarë dhe kur ka qenë rasti për të marrë një të ri, si Vrioni, për shembull, e kam marrë. Kështu bëra edhe me Uzunin tani. Dyert janë të hapura për të gjithë.
Demiri nuk është grumbulluar, sepse Lenjani kohët e fundit ka luajtur më shumë dhe ka më shumë përvojë se ai. Por kjo nuk do të thotë se nuk do ta thërras më Demirin, është në shtëpi për momentin. Këtë radhë mendova për Lenjanin, për shkak të eksperiencës.
Nëse shkon në Skoci dhe të mungojnë kaq shumë lojtarë, si Roshi, Grezda, Sadiku, Mavraj, Abrashi etj., ka më pak mundësi se më parë. Kjo skuadër, nëse janë të gjithë, i ka mundësitë për të shkuar në Europian. Kishim edhe Bashën të parikuperuar nga ndeshja me Izraelin. Kroacia shkoi dhe pësoi 6 gola në Spanjë. Italia, e dini sa gola ka pësuar në ndeshjet e fundit?
Deklarata e Hysajt për skemën e lojës? Një lojtar që luan në Champions, nuk e ka problem skemën. Nuk ndryshon gjë, sepse nuk është problem skeme. Për Izraelin do të mendojmë pasi të shikojmë edhe ndeshjen e tij me Skocinë. Tani të mendojmë për Jordaninë.
Basha është në gjendje të luajë që me Jordaninë, por të shohim. Jam shumë i kënaqur me Uzunin, sepse ka karakteristika që në grupin tonë nuk i kemi. Ai ka kaluar te Lokomotiva e Zagrebit dhe po luan mirë atje. Jam i kënaqur edhe për Vrionin, sepse ka talent. Më pyetët edhe për Trashin, dyert janë të hapura për të gjithë, e riktheksoj.
Jam shumë i qetë, jam nervoz vetëm kur humbas. Kam një raport shumë të keq me humbjen. Kam luajtur 20 vjet dhe kam punuar në televizion për 7 vjet, por ka pyetje që nuk i kuptoj. Kam respekt për punën tuaj”.