Partia Demokratike është shprehur se “korrektesa e Policisë së Shtetit përfaqësohet vetëm nga nënkomisar Emiljano Nuhu”.
Në një deklaratë për mediat, Selia Blu thotë se “që prej 21 korrikut, kur Xhisiela Maloku bëri denoncim për përdhunim, kanosje me armë dhe kërcënim për jetën ndaj djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja, korrektesa e Policisë së Shtetit përfaqësohet vetëm nga nënkomisar Emiljano Nuhu”.
“Për shkak se oficeri i policisë, mori anën e ligjit dhe jo të krimit, sot kemi gjurmë të denoncimit! Për shkak të guximit dhe përgjegjshmërisë qytetare të atij që Edi Rama e kërcënoi dhe e quajti horr, qytetarët po njohin të vërtetën se Policia nuk u shërben atyre, por kriminelëve. Është mashtrim qëndrimi i policisë se ndjekja penale nuk u mbyll edhe pas tërheqjes së kallëzimit nga vajza e dhunuar. Ligji e detyron policinë që, për veprat penale që ka kryer djali i deputetit, të mos e mbyllë çështjen edhe kur denoncuesi tërhiqet”, lexohet në deklaratë.
“Qëndrimi i sotëm i policisë për sjellje korrekte të saj që prej fillimit të denoncimit, përgënjeshtron kryeministrin Edi Rama se Emiljano Nuhu është një horr që ka shkelur ligjin dhe duhet ndjekur këmba këmbës”, shton Partia Demokratike.