Nuk ka pasur shumë surpriza nata e dytë e ndeshjeve e grupeve të Europa League. Milan ka përmbysur gjithçka në pjesën e dytë ndaj Olympiacos, teksa ka fituar 3-1 në San Siro. Ishte ndeshja e dytë e fazës së grupeve të Europa League, por nuk pritej të ishte kaq e vështirë për Kuqezinjtë.
Gjithsesi, me këtë fitore të merituar, Milan tani ruan vendin e parë të renditjes së Grupit F me gjashtë pikë të plota. Tifozët vendas ranë në heshtje që në minutën e 14’ kur Guerrero kaloi në avantazh ekipin grek me një gol shumë të bukur të shënuar me kokë.
Ndeshja mbetet e hapur me të dyja skuadrat që mundohen të dalin përpara sa herë që u jepet mundësia. Pas pushimit vjen përmbysja e madhe e cila mban emrin e Cutrone-s. Në minutën e 70’ Rodriguez fut një kros të përsosur nga e majta për sulmuesin e talentuar italian i cili godet fuqishëm me kokë një top të pakapshëm për portierin.
Vetëm gjashtë minuta më vonë Gonzalo Higuain kalon vendasit në avantazh me një gol tipik brenda zonës. Në minutën e 79’ Cutrone vulos fitoren e të besuarve të Gattuso-s pasi shtyn në rrjetë një topin me portën e boshatisur. Një fitore e merituar e Milan.
Ndërkohë, Arsenal nuk e ka pasur të vështirë të mposhtë Qarabag-un e Ansi Agollit. Të besuarit e Emery ruajnë përsosmërinë në Europa League me fitoren 3-0 në Olympic Stadium të Bakut.
Ishte greku Sokratis që kaloi miqtë në avantazh në minutën e 4’. Vendasit u munduan të reagonin dhe shpërdoruan dy mundësi të mira në pjesën e parë dhe po të ishin treguar më të saktë mund të kishin barazuar.
Pas pushimit Arsenal mundohet të mbyllë ndeshjen sa më shpejtë dhe Emile Smith-Roëe dyfishon rezultatin në minutën e 53’. Goli që vulosi gjithçka erdhi në minutën e 80’ falë një tjetër të riu, Matteo Guendouzi, i cili me goditjen e tij të pakapshme trefishon rezultatin. Një fitore e merituar e Topçinjve në Baku.