MENU
klinika

Çështja bëhet shembull

Plaku fiton në CAS, merr 250 mijë euro

09.10.2018 - 13:27

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i ka dhënë të drejtë Sebino Plakut dhe tashmë klubi i Slask Worcklav duhet të paguajë afërsisht 250 mijë euro dëmshpërblim. Kanë qenë mediet polake ato që kanë konfirmuar këtë fakt, duke sqaruar edhe procedurën e ndjekur që prej 4 vitesh më parë.

Lojtari duhet të shlyhet brenda 1 muaji, ndryshe Slask rrezikon edhe penalizim të rëndë në kampionatin aktual. Klubi tashmë nuk ka asnjë mundësi ta kundërshtojë këtë fakt.

Prej verës së vitit 2015, Plaku është kthyer në Shqipëri, duke veshur fanellën e Partizanit, Skënderbeut, Korabit dhe Kamzës, ku luan prej dy sezonesh. Madje, edhe në sfidën e fundit ndaj Flamurtarit, sulmuesi 33 vjeçar realizoi gol.

sebino plaku
sebino plaku

Sezonin e parë në Poloni, Plaku luajti rregullisht me Slask, 26 ndeshje në kampionat. Por, problemet nisën në gjysmën e sezonit të dytë, kur edhe u la jashtë skuadre, stërvitej veçmas dhe  u ndje si një “skllav”, sipas akuzave dhe dëshmisë së vetë futbollistit.

“Donin të më shkatërronin te Slask. Presidenti më dhunoi psikologjikisht”, – u shpreh sulmuesi në një intervistë të dhënë për mediat polake në prill të vitit 2015. “Në fillim, presidenti, kur mori vesh momentin tim të vështirë, kur gruaja ime priste një fëmi dhe më pas abortoi, më tha se do të më qëndronin pranë.

Më pas, kur pësova dëmtim dhe nuk isha ende gati, ndryshoi gjithçka, teksa m’u drejtua: duhet të ikësh nga këtu! Do të japim 5 rroga dhe zhduku!”. Nuk i besova asaj që dëgjova. Nuk mund të largohesha ashtu, gruaja po priste një tjetër fëmijë dhe lëvizjet e tepërta nuk i bënin mirë pas asaj që kishte pësuar”, – rrëfeu në atë kohë Plaku.

sebino plaku
sebino plaku

Tashmë, Plaku, pas një beteje të gjatë dhe të drejtë, ka fituar. Shpërblimi ekonomik është thjesht diçka që e ndihmon, por fakti që ai mposhti padrejtësinë është medalja më e madhe.

UEFA, duke parë këtë çështje, e ka marrë si shembull dhe e ka futur në rregullore, teksa largimet me kërcënime mund të denoncohen dhe klubet janë të detyruara të paguajnë gjoba marramendëse. Kjo bëhet për të mbrojtur futbollistët.